
PRISHTINË- Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, njoftoi të martën se nuk e ka pranuar ftesën e udhëheqësit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për takim konsultativ, në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje për koalicion qeverisës.
Në një postim në Facebook, Abdixhiku tha se kishte pranuar letër nga Kurti të hënën, por vendosi ta refuzojë takimin me të për shkak gjuhës së kryeministrit në detyrë para dhe gjatë fushatës zgjedhore drejtuar LDK-së.
“Mes ‘hajvanatit’, ‘mbytjes së LDK-së’, ‘bashkëpunëtorëve të Serbisë’, mes moçalit të madh të pështymave ndaj nesh – unë, LDK dhe votuesit tanë – nuk e gjejmë veten as për konsultim,”- tha Abdixhiku.
Kurti i cilësoi partitë opozitare si “hajvanë” gjatë fjalimit të tij të parë kur e shpalli fitoren mbrëmjen e 9 shkurtit në sheshin kryesor të kryeqytetit dhe partia e tij ishte gjobitur gjatë fushatës për nxitje të urrejtje ndaj LDK-së.
“Për muaj, e në të vërtetë për vite të tëra – para, gjatë dhe pas fushatës – LDK, anëtarët tanë dhe votuesit tanë, kanë qenë subjekt i një gjuhe dhe mendësie që ofendon, përçan, etiketon dhe sulmon. Një mendësi që ka goditur thelbin njerëzor të politikës – respektin dhe dinjitetin,”- shkroi Abdixhiku.
Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, me rreth 42 për qind të votave, apo 48 ulëse nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës. Por, asaj i nevojitën të paktën 61 ulëse për ta formuar qeverinë e re. LDK-ja doli e treta, duke i fituar 20 ulëse.
Pak ditë pas përpjekjeve të Kurtit për t’i bindur partitë e pakicave joserbe për ta votuar qeverinë e tij, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha të martën se nuk beson se formimi i qeverisë së re është i mundur pa përfshirjen e partive opozitare në koalicionin qeverisës. LDK-ja vazhdimisht e ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni me Vetëvendosjen e Kurtit./REL