
LEWISTON - Një alarm emergjent u dha këtë mëngjes në Maine të SHBA-ve, pasi së paku 18 persona u vranë dhe dhjetëra u plagosën nga disa të shtëna me armë zjarri.
Policia ka nisur një operacion masiv për të kapur personin që kreu masakrën, i cili është identifikuar si Robert Card. Policia kërkoi nga banorët që të qëndrojnë në shtëpi.
"Ka një vrasës, që endet i lirë me armë në dorë në Leuiston. Ne u kërkojmë njerëzve të qëndrojnë nëpër shtëpi. Ju lutemi qëndroni brenda shtëpisë tuaj me dyert e mbyllura. Policia po kërkon për agresorin në shumë vende", shkroi Policia e Maine në X.
Agresori hyri në një lokal dhe qëlloi personat që ndodheshin aty. Policia lokale postoi një foto të vrasësit të dyshuar Robert Card në Facebook, duke u shprehur se ai është i lirë, i armatosur dhe prandaj duhet pasur shumë kujdes.
"Policia po përpiqet të gjejë Robert Cardin, i datëlindjes, 4/4/1983, si një person që dyshohet se ka shtënë me armë në Schemengees Bar and Sparetime Recreation. Card është i armatosur dhe ka rrezik të lartë shoqëror", tha Departamenti i Policisë në Leuiston.
Robert Card, 40 vjeç, një oficer ushtarak në pension, kishte qenë dënuar më herët për dhunë në familje. Në fillim të këtij viti, ai kishte pasur probleme të shëndetit mendor, duke përfshirë dëgjimin e zërave.
Card kishte kërcënuar se do të zhvillonte një sulm të armatosur në bazën e stërvitjes ushtarake në Saco, Maine. Ai u shtrua në një institucion të shëndetit mendor për 2 javë, para disa kohësh. Pas të shtënave, ai u pa duke ecur me një mjet Subaru të bardhë.
Kryetari i bashkisë së Leuiston, Carl Sheline kërkoi që banorët të ndjekin udhëzimet e policisë. Presidenti amerikan, Joe Biden është informuar për ngjarjen e bujshme.
Përpjekjet për ndalimin e armëve të rënda kanë hasur në kundërshtimin e republikanëve. Këta të fundit janë shprehur disa herë se është e drejtë kushtetuese, të mbash armë me leje./Zëri.ai/