
PRISHTINË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të martën se ai, si kryeministër i vendit, nuk mund ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i cili është ndër kërkesat kryesore ndaj Kosovës sipas një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve mes saj dhe Serbisë.
Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, Kurti tha se ai, megjithatë, kishte shprehur gatishmëri ta nënshkruante një draft-statut për Asociacionin në mars 2023 në Ohër, kur Kosova dhe Serbia kishin arritur pajtueshmëri për aneksin e Marrëveshjes Bazë.
“Unë kam ofruar ta shkruaj draft-statutin më 18 mars 2023 në Ohër, por jam refuzuar. Por, në anën tjetri, më lejoni të theksoj se jam kryeministër i republikës demokratike. Meqë Kosova është republikë demokratike, kryeministrat nuk formojnë asociacione komunash,”- tha Kurti.
Ai tha se themelimi i një asociacioni nuk duhet të jetë i imponueshëm dhe se Kosova tashmë e ka një asociacion komunash, duke iu referuar Asociacionit të Komunave të Kosovës.
“Komunat asociohen me njëra-tjetrën, koordinohen e bashkëpunojnë. Ju e dini se ne tashmë e kemi një Asociacion të Komunave të Kosovës. Nëse dikush e dëshiron një asociacion tjetër, atëherë ai duhet të vijë nga dikush tjetër. Nëse kryeministri do ta themelonte atë, asociacioni do të ishte imponim ndaj komunave,”- theksoi ai.
Ai nguli këmbë se themelimi i asociacionit duhet të jetë zgjedhje “e lirë dhe e drejtë”
“Dhe, këtë s’e bëj unë, e aq më pak një shtet fqinj,”- tha Kurti duke iu referuar Serbisë.
Vitin e kaluar, Kosova dhe Serbia e pranuan Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve, dhe një nga pikat e saj kërkon që komunitetit serb në Kosovë t’i ofrohet një nivel i caktuar i vetëmenaxhimit, përkatësisht Asociacioni. Kosova dhe Serbia janë pajtuar për themelimin e Asociacionit prej vitit 2013. Më 2015, u arrit edhe Marrëveshja mbi parimet për themelimin e këtij asociacioni. Ndërsa, vitin e kaluar, ato e pranuan Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve, dhe një nga pikat e saj kërkon që komunitetit serb në Kosovë t’i ofrohet një nivel i caktuar i vetëmenaxhimit, përkatësisht Asociacioni.
Tetorin e vitit 2023 përfaqësuesit e Pesëshes së Madhe - Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania dhe Italia - u prezantuan Kosovës dhe Serbisë draft-statutin e Asociacionit, i cili duhet ta zgjidhte çështjen e pozitës së komunitetit serb në Kosovë dhe t’i mbrojë të drejtat e tyre. Prej atëherë ka pasur thirrje për Kosovën që ta dërgojë këtë draft-status për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Por, kryeministri Kurti nuk ka pranuar ta bëjë këtë deri tani.
Analisti politik nga Prishtina, Artan Muhaxhiri tha për Radion Evropa e Lirë në fillim të tetorit se pret që, në muajt e ardhshëm, Kurti ta intensifikojë diskursin e tij kundër Asociacionit, “duke shpresuar të ketë një efekt pozitiv zgjedhor populist”.
Ai tha se Kurti është duke i pritur qëllimisht zgjedhjet parlamentare - të planifikuara për 9 shkurt të vitit të ardhshëm - për ta dërguar draft-statutin për Asociacionin për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të vendit./REL