
KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbledhjen e Qeverisë së Kosovës e ka nisur me një paralajmërim të ashpër. Sipas tij, bazuar në informacionet e sigurisë e inteligjencës, ka mundësi për inskenime në veri për ta fajësuar Policinë e Kosovës.
“Institucionet e sigurisë së fundmi kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimit të sulmeve të dhunshme nga grupet e strukturave të Serbisë në Kosovë. Qëllimi i tyre kryesor është fajësimi i Policisë së Kosovës dhe paraqitja e saj si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës. Për ta arritur këtë nuk kanë vënë çmim në tavan. Nuk do të zgjedhin mjet. Mbështetja e grupit terrorist që ka marrë nga Serbia në njërën anë duke i trajtuar si heronj, në anën tjetër duke intensifikuar aktivitetet e ushtrisë pranë kufirit me Kosovën vetëm sa i inkurajuar ata”, ka thënë Kurti.
Sipas Kurtit, grupet e ndryshme dallimet etnike mund t’i keqpërdorin për synime politike.
“Deshën ta ndryshojnë realitetin në terren përmes organizimeve paramilitare, nuk ia arritën. Provuan ta keqpërdorën Manastirin e Banjskës, nuk ia arritën. Tani formacionet kriminale të sponsorizuara nga fqinji ynë verior në skenarin e tyre destabilizues, ka shumë të ngjarë që dallimet etnike t’i keqpërdorin për synime politike. Javën që lamë pas u shënua 23-vjetori i rrëzimit të Millosheviqit, 23 vjet pas asnjëherë më parë nuk i ka ngjarë më së shumti Serbisë së Millosheviqit ky pushtet në Serbi, në botëkuptime, në metoda, në sjellje e në veprime”, deklaroi Kurti.
Kryeministri foli edhe për lirimin e kryekriminelit Milan Radoiçiq.
“Shumë çka është ndryshe prej asaj të diele. Gjithçka do të ishte ndryshe nëse grupi terrorist nuk do të neutralizoheshin që në natën e parë. Ata dështuan dhe kjo i ka dëshpëruar. Lirimi i Radojiçiqit më pak se 24 orë pas arrestimit është dëshmi e sinjalit për rigrupim dhe hakmarrje. Institucionet e tona të sigurisë dhe inteligjencës kanë identifikuar inskenimet. Qëllimi i tyre kryesor është fajësimi i Policisë së Kosovës”, theksoi kryeministri.
Shefi i ekzekutivit ka folur edhe për komunitetin serb në Kosovë, duke iu bërë thirrje atyre për vetëpërmbajtje.
“Andaj ju bëjë thirrje serbëve që ditëve të fundit të jeni të vëmendshëm dhe të vetëpërmbajtur nga cytjet dhe aktet e dhunës dashakeqe. Në Kosovë, jemi të gjithë të barabartë sepse shteti është ligjor dhe demokratik. Nuk ka komunitete të padëshiruara. Të raportoni sjelljen e dyshimta në komunitetet tuaja, t’i përcjellni njoftimet e institucioneve, të ruani qetësinë në çdo situatë dhe të mos bini pre e dezinformatave.” - shtoi Kurti.
Kujtojmë që me 24 shtator, një grup i armatosur i serbëve, që udhëhiqej nga Milan Radojiçiqi, ish-nënkryetar i Listës Serbe që dyshohet edhe për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, kreu një sulm terrorist, ku ra një polic kosovar në krye të detyrës dhe u vran tre terroristë. Kosova në vazhdimësi, që nga data 24 shtator, ka kërkuar sanksione ndaj Serbisë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, pasi shteti kosovar beson se prapa sulmit qëndrojnë strukturat shtetërore serbe.