Bota

"Kukullat" e Kremlinit dhe Beogradit/ Pse Hungaria po i jep 500 mln eurosh RMV?

Zëvendëskryeministri merr pjesë në mbledhjet e qeverisë, njeh sekretet shtetërore dhe ushtarake dhe në të njëjtën kohë është aleati më i madh i Moskës.

k.m.
"Kukullat" e Kremlinit dhe Beogradit/ Pse Hungaria po i jep 500 mln
Aleksandër Vuçiç, Hristijan Mickoski dhe Vladimir Putin

SHKUP- "Qeveria e Maqedonisë së Veriut, e kryesuar nga kryeministri Hristijan Mickoski, është në mëshirën e ndikimit ruso-serb,"-kështu e nis shkrimin e saj media bullgare "BGNES". Zëvendëskryeministri i shtetit anëtar të NATO-s është politikani pro-serb dhe pro-Kremlinit, Ivan Stoilkoviç. Zëvendëskryeministri merr pjesë në mbledhjet e qeverisë, njeh sekretet shtetërore dhe ushtarake dhe në të njëjtën kohë është aleati më i madh i Moskës.

"Kordoni i kërthizës së Stoilkoviçit dihet prej kohësh, por rezulton se vajza e tij Sandra është lidhja e drejtpërdrejtë me Kremlinin dhe jo më pak me ndikim,"-shkruhet ndër të tjera.

Ivan Stoilkoviq deklaroi se do të largohej nga Maqedonia e Veriut nëse bullgarët përfshiheshin në kushtetutë, ndërsa sot është në krye të shtetit. Po ashtu, ai është i njohur sepse e cilësoi gjenocidin e Srebrenicës të vitit 1995, kur serbët e Bosnjës masakruan më shumë se 10,000 myslimanë boshnjakë, "Disneyland". Gjithashtu, në tetor të vitit të kaluar ai tha: Shkupi nuk ka të ardhme pa Serbinë.

Nga ana tjetër, Sandra Stoilkoviç është “koordinatorja e programit” e Fondit të financuar nga Rusia Alexander Gorchakov për Diplomacinë Publike, i krijuar me “bekimin” e presidentit rus Vladimir Putin. Sandra mban një sërë fjalimesh në tryeza të rrumbullakëta dhe takime publike. Ajo ka luajtur gjithashtu një rol të madh në Dialogun Ballkanik, një ngjarje që Fondi organizon çdo vit në vendet e Ballkanit, ku theksohen lidhjet me Federatën Ruse.

Jozyrtarisht, Sandra Stoilkoviç punon në zyrën e sekretarit të shtypit të presidentit rus, Dmitry Peskov, është e afërt me të dhe strukturat rreth tij.

Cilat janë objektivat e Fondit?

Fondi "Gorchakov" u krijua nga Ministria e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse me dekret presidencial të 2 shkurtit 2010. Në letër, misioni i saj është të promovojë zhvillimin në fushën e diplomacisë publike dhe krijimin e një klime të favorshme sociale, politike dhe biznesi për Rusinë jashtë vendit. Detyrat zyrtare përfshijnë kryerjen e programeve sociale, kulturore, arsimore, shkencore dhe menaxhuese në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, analizën e situatës ekonomike dhe socio-politike, pjesëmarrjen në procesin shkencor, por edhe 2 pika mjaft interesane: promovimi i formimit të një opinioni të favorshëm publik të Rusisë jashtë vendit dhe"promovimi i potencialit intelektual, kulturor, shkencor dhe biznesor të Rusisë jashtë vendit.

Fondi mund të sigurojë grante (financim) për zbatimin e iniciativave të OJQ-ve të huaja dhe ndërkombëtare, gazetarëve dhe të tjerëve.

Financimi i partive politike është i ndaluar, të paktën formalisht. Lista e fushave prioritare të aktivitetit të Gorchakov për vitin 2025 përfshin "mbajtjen e bazave strategjike të ndërveprimit midis Rusisë dhe shteteve të Ballkanit".

Drejtoresha e këtij fondi është e bija e zëvendëskryeministrit Stoilkoviç, që do të thotë se ndikimi rus në Maqedoninë e Veriut nuk kanalizohet thjesht në mënyrë indirekte, por drejtpërsëdrejti përmes një anëtari të qeverisë maqedonase.

Në një intervistë të shkurtër dy vite më parë, kur u pyet se “çfarë do të thotë që ambasada ruse ka dy ndërtesa të vogla në Shkup dhe ambasada amerikane ka një “lagje të tërë” në qytet”, Sandra Stoilkoviç u përgjigj: Fakti që ambasada është më e vogël nuk do të thotë se ne jemi më pak të fuqishëm. Ajo që ka rëndësi është se si personeli atje do të bëjë punën.

Kryeministri maqedonas pak ditë më parë bëri thirrje që homologu i tij hungarez Viktor Orban të shpallet hero maqedonas dhe të marrë një çmim shtetëror nga Shkupi. Arsyeja? Hungaria po i jep Maqedonisë së Veriut një kredi prej 500 milionë euro.

Nikola Gruevski, babai politik i Mickoskit, fshihet në Hungari. Gruevski e ka qeverisur Republikën e Maqedonisë i vetëm për 10 vjet (2006-2016). Ai dha dorëheqjen pas protestave masive të mijërave dhe zbulimeve të skemave të rënda korruptive, kontrollit total të gjyqësorit dhe medias. Në fund të vitit 2017, ai iku në Hungari dhe qeveria e Viktor Orban ende refuzon ta ekstradojë. Gruevski personalisht e imponoi Hristijan Mickoskin si lider të VMRO-DPMNE-së. Ky i fundit nuk e ka dënuar asnjëherë abuzimin me pushtetin.

Këshilltari i Orbanit, Árpád Habony dhe biznesmenë të ngjashëm kanë investuar shumë në vitet e fundit në media të afërta me VMRO-DPMNE./ZËRI

Marrë nga BGNES

Poll

MOS HUMB