
GAZA – Hamasi duket se ka ndërmend që të lërë të lirë edhe disa pengje të tjera.
Mediat ndërkombëtare shkruajnë se me ndërhyrjen e Katarit, është duke u ndërmjetësuar lirimi i 50 pengjeve, që mbahen nga organizata palestineze.
Kryqi i Kuq tashmë është gati që të presë 50 pengjet, të cilët kanë shtetësi të dyfishtë.
Sipas burimeve të mediave të huaja, transferimi i pengjeve do të bëhet në zonën Khan Yunis, në jug të Rripit të Gazës.
Nëse nuk shfaqen pengesa të reja, një marrëveshje pritet të arrihet në orët në vijim. Izraeli nuk do të jetë palë zyrtare në negociatat për lirimin e pengjeve me shtetësi të dyfishtë.
Si pjesë e mirëkuptimit dhe për të lejuar personelin e Kryqit të Kuq të arrijë në zonën e sigurt të shkëmbimit, mësohet se nuk ka pasur asnjë sulm ajror izraelit në Gaza gjatë orëve të fundit.
Vetëm përpara disa ditësh, Hamasi liroi dy pengje me shtetësi amerikane, Judith Raanan, 59 vjeçe dhe vajzën e saj, Natalien.
Hamasi sulmoi Izraelin, ndërsa Tel Avivi u përgjigj me raketa. Më shumë se 6400 njerëz vdiqën, gjatë sulmeve të të dyja palëve./Zëri.ai/