
PARIS- Kryebashkiakja e Parisit, Anne Hidalgo u zhyt në lumin Sena, mëngjesin e së mërkurës, për të treguar se uji është i pastër dhe se në të mund të zhvillohen Lojërat Olimpike. Me një kostum noti dhe syze, Hidalgo u zhyt në lumë teksa qindra persona ishin mbledhur për ta parë teksa përmbushte premtimin e dhënë në janar.
Sipas mediave të huaja, asaj iu bashkua edhe Tony Estanguet, kreu i Lojërave Paris 2024.
Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili kishte premtuar se do t'i bashkohej notuesve të Senës, mungoi në këtë event. Dyshja notuan përgjatë lumit që kalon pranë Bashkisë dhe Katedrales Notre Dame, në një përpjekje për të treguar se lumi është i pastër.
Pavarësisht investimit të rreth 1.4 miliardë dollarëve në përgatitjen e Senës për Lojërat Olimpike, kryesisht për të parandaluar rrjedhjet e ujërave të zeza në lumë, në ditët e fundit kishte rënë cilësia e ujit, gjë që vuri në mëdyshje gjithë planin. Hidalgo fillimisht kishte planifikuar të notonte në qershor, por iu desh të shtynte notin sepse bakteret që tregonin praninë e lëndës fekale u zbuluan se ishin 10 herë më të larta se kufijtë e autorizuar.
Por që nga fillimi i korrikut, ndërsa shirat e dendur më në fund ia lanë vendin motit më me diell, mostrat kanë treguar se lumi është gati për lojrat olimpike.
Politikanët janë zotuar të pastrojnë Senën për dekada! Jacques Chirac, ish-presidenti francez, bëri një premtim të ngjashëm në vitin 1988 kur ishte kryebashkiak i Parisit, por noti në lumë është ndaluar për më shumë se një shekull. Pastrimi i rrugës ujore është promovuar si një nga arritjet kryesore të trashëgimisë së Parisit 2024. Madje Hidalgo synon të krijojë tre zona për plazhe publike për banorët e qytetit vitin e ardhshëm./ZËRI