
KOSOVË- Nga sot qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza nëpër vendet e Bashkimit Evropian. Kosovarët nuk do të presin më para zyrave të ambasadave të huaja për një vizë, e as nuk do të shpenzojnë për termine e pagesë vizash.
Për ditën e parë pa viza, Qeveria e Republikës së Kosovës në kuadër të fushatës informuese, organizoi udhëtimin e parë pa viza për fituesit me fat nga kuizi i BE-së. Fluturimi i parë i kosovarëve pa viza u bë sot në orën 8:00 të mëngjesit. Udhëtarët e parë që që do të shkojnë pa viza do të udhëtojnë drejt Vjenës.
Komisioni Evropian vlerësoi që nga korriku i vitit 2018, se Kosova i përmbushi të gjitha standardet e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave, por, për shkaqe politike dhe reflektime të brendshme, vendimi u shty.
Shtetet që përfshihen në vendimin për liberalizimin e vizave për kosovarët janë: Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Qipro, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Holanda, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Suedia, Zvicra, Norvegjia, Lihtensteini dhe Islanda./ZËRI