Bota

Kosova feston 17-vjetorin e Pavarësisë!

Shtatëmbëdhjetëvjetori i pavarësisë e gjen Kosovën si shtet të njohur nga rreth 117 vende të botës.

F.I
Kosova feston 17-vjetorin e Pavarësisë!
FOTO ILUSTRUESE

KOSOVË-Sot bëhen 17 vjet që kur Kosova u shpall shtet i pavarur. Pasditen e 17 shkurtit të vitit 2008, Kuvendi i Republikës së Kosovës në Prishtinë shpalli zyrtarisht Pavarësinë, një hap historik i cili ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë dhe të vështirë me me vuajtje dhe sakrifica. 

Ligjshmëria e pavarësisë për një kohë të gjatë ka qenë temë e diskutueshme, pasi Serbia ka kundërshtuar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës duke e cilësuar të paligjshme. Për këtë ajo kërkoi edhe opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në 2008, kërkesë që u hodh poshtë më 22 korrik 2010.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës. Për vite me radhë, ata vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviçit, gjë e cila rezultoi më një Luftë Çlirimtare (’97-’99). Pas përfundimit të Luftës Çlirimtare të Kosovës u bë edhe vendosja e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë.

Më 18 shkurt 2008 presidenca e Bashkimit Evropian vendosi që vendet anëtare të ishin të lira për të vendosur nëse do ta njihnin pavarësinë e Kosovës. Shumica e vendeve të unionit evropian e kanë njohur Kosovën, por Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja ende nuk e njohin atë.

Shtatëmbëdhjetëvjetori i pavarësisë e gjen Kosovën si shtet të njohur nga rreth 117 vende të botës. Vendi është pjesë e disa organizatave ndërkombëtare, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit. Por, nuk është ende në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës etj.

Poll

MOS HUMB