KOSOVË- Kuvendi i Republikës së Kosovës është konstituuar, duke i dhënë fund ngërçit politik prej javësh. Procesi i zgjedhjes së nënkryetarëve u mbyll sot pavarësisht bojkotit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe heqjes së kandidaturës së Vlora Çitakut për postin e nënkryetares.
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kujtim Shala, u zgjodh nënkryetar i Kuvendit me 75 vota pro. Emilia Rexhepi është zgjedhur nënkryetare e Kuvendit të Kosovës nga radhët e komuniteteve joserbe.
Nga radhët e komunitetit serb, nënkryetare është zgjedhur Tanja Vujoviç. Ndërkohë, kandidatët e tjerë nga komuniteti serb nuk arritën të marrin votat e nevojshme për t’u zgjedhur në postin e nënkryetarit të Kuvendit.
Pas përfundimit të votimeve, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, deklaroi konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
“Me këtë rast konstatoj se Kuvendi i Republikës së Kosovës konsiderohet i konstituuar”, tha Haxhiu.
PDK kishte njoftuar paraprakisht që nuk do të merrte pjesë në seancën e kësaj të diele. Ndërsa, gjatë seancës, PDK i dërgoi edhe një shkresë zyrtare Albulena Haxhiut, me të cilën pezulloi kandidaturën e Vlora Çitakut për nënkryetare të Kuvendit deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Me konstituimin e Kuvendit hapet rruga për hapat e ardhshëm institucionalë. Ndërkohë që sdida e radhës mbetet procesi për zgjedhjen e kreut të shtetit./ZËRI