
KOSOVË- Ditën e sotme Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara konfiskoi dy prona të paluajtshme në Mitrovicën e Veriut dhe një në komunën e Zubin Potokut, të cilat janë të lidhura me sulmin e një grupi të armatosur serbësh ndaj policisë së Kosovës në Banjskë shtatorin e vitit të kaluar.
Vila gjendet buzë liqenit të Ujmanit në komunën e Zubin Potokut në veri të Kosovës, ndërsa restoranti dhe banesa gjenden në Mitrovicë të Veriut, komuna të banuara me shumicë serbe. Këto tre prona të paluajtshme ishin sekuestruar fillimisht nga Prokuroria e Kosovës në shtatorin e vitit të kaluar.
Pas konfiskimit të pronave të tij një reagim ka ardhur edhe nga Lista Serbe, ku deklaroi se veprimi ndaj Milan Radoiçiç është i paligjshëm dhe i pabazuar dhe se synon “përshkallëzimin” dhe “largimin e serbëve nga Kosova”, raportojnë mediat serbe. Ky është reagimi i parë i Listës Serbe për ngjarjet në lidhje me Millan Radoiçiçin pas sulmit në Banjskë.
Milan Radoiçiç është shpallur në kërkim nga autoritetet e Kosovës, pasi akuzohet se ka organizuar sulmin e armatosur në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar, ku mbetën të vrarë një polic i autoriteteve të Kosovës dhe tre serbë. Ai akuzohet për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje, akuzë për të cilën u ndalua në Beograd dhe u lirua pas një seance në Gjykatën e Lartë në Beograd./ZËRI