Bota

Komentet e Donald Trump shkaktojnë tronditje në Europë

Zoti Trump tha se nëse do t’i fitonte zgjedhjet presidenciale, ai do ta ftonte Rusinë të sulmonte vendet aleate që nuk kanë paguar detyrimet financiare ndaj NATO-s.

D.XH
Komentet e Donald Trump shkaktojnë tronditje në Europë
Donald Trump

SHBA -Komentet e fundit të ish Presidentit Donald Trump për aleancën perëndimore shkaktuan valë tronditëse nëpër kryeqytetet evropiane dhe një qortim të rrallë nga shefi i NATO-s. Zoti Trump tha se nëse do t’i fitonte zgjedhjet presidenciale, ai do ta ftonte Rusinë të sulmonte vendet aleate që nuk kanë paguar detyrimet financiare ndaj NATO-s.

Gjatë një tubimi të shtunën në Karolinën e Jugut, kandidati kryesor republikan për president, Donald Trump, doli nga tema e fjalimit të tij të parapërgatitur, për të theksuar pikëpamjet e tij ndaj vendeve evropiane, që siç tha ai po përfitojnë nga Shtetet e Bashkuara dhe nuk po paguajnë detyrimet që u takojnë për sigurinë.

“Gjatë një takimi u thashë se duhet të paguani detyrimet për NATO-n. Presidenti i një vendi të madh më pyeti se, nëse nuk paguajmë detyrimet dhe sulmohemi nga Rusia, a do të na mbrosh. I thashë, nuk i keni pagur detyrimet? Ai tha jo. I thashë se nuk do t’ju mbroj. Në fakt, unë do t’i inkurajoja ata (Rusinë) të bënte çfarë të donte. Duhet të përmbushni detyrimet”, tha zoti Trump.

Simpatia e dukshme e zotit Trump për presidentin rus Vladimir Putin dhe mosbesimi ndaj aleatëve të NATO-s nuk është diçka e re. Por komenti që Moska mund të sulmojë anëtarët e aleancës që nuk i kanë paguar detyrimet, shkaktoi reagime të ashpra në Evropë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha përmes një deklarate të dielën se çdo sugjerim se aleatët e NATO-s nuk do të mbronin njëri-tjetrin “dëmton të gjithë sigurinë tonë, përfshirë atë të Shteteve të Bashkuara, dhe shton rrezikun ndaj ushtarëve evropianë dhe amerikanë”.

Por pretendimet e zotit Trump për vendet e aleancës perëndimore nuk janë krejt të sakta. Në vitin 2014, vendet anëtare u zotuan të shpenzojnë për mbrojtjen 2% të prodhimit të brendshëm bruto deri në vitin 2024. Sipas vlerësimeve të NATO-s, në fillim të vitit 2023, 10 nga 30 vendet anëtare ishin pranë plotësimit të objektivit.

Eksperti Michael Kimmage thotë për Zërin e Amerikës se zoti Trump i ka kërkuar Dhomës së Përfaqësuesve, të udhëhequr nga republikanët, që të mos ofrojë më ndihma ushtarake amerikane për Ukrainën, e cila po lufton kundër agresionit të Rusisë.

“Tashmë politika amerikane po ndryshon në një farë mase si rezultat i kandidatit Trump, i cili drejton Partinë Republikane. Por komentet e tij janë si të thuash qershia mbi tortë. Në varësi të zgjedhjeve, sugjerojnë ata, Evropa do të mbetet e vetme përballë Rusisë, dhe Evropa mund të jetë dukshëm më e vetme në luftën në Ukrainë”, thotë Michael Kimmage, nga Universiteti Katolik i Amerikës.

Ekspertja Lindsay Newman, me Grupin Eurasia, tha për Zërin e Amerikës se Kongresi ka hartuar politika për mbrojtjen e NATO-s, e cila ka garantuar sigurinë e Evropës që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. “Në vitin 2023, si pjesë e Aktit të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare, Kongresi miratoi një kërkesë që presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk mund të tërhiqet në mënyrë të njëanshme nga NATO-ja pa miratimin e Kongresit”.

Ekspertë të tjerë thonë se një president i ardhshëm do të kishte mënyra të tjera për ta dobësuar NATO-n, pa një tërheqje zyrtare. Mund të ishte tërheqja e trupave amerikane nga Gjermania, ose ngritja e dyshimeve për të përmbushur angazhimin për mbrojtjen reciproke të vendeve të NATO-s.

Në bazë të Nenit 5, aleanca e NATO-s angazhohet të ndihmojë çdo vend anëtar që sulmohet. Shtetet e Bashkuara aktivizuan për herë të parë atë që njihet si Neni 5 në vitin 2001, pas sulmeve të 11 shtatorit ndaj Shteteve të Bashkuara./VOA

Poll

MOS HUMB