Bota

Jep dorëheqjen Kryeministri i Portugalisë

Kryeministri Antonio Costa tha se ndërgjegjja e tij ishte e pastër, por nuk do të ishte më kandidat për kryeministër.

Redaksia Zëri
Jep dorëheqjen Kryeministri i Portugalisë
Antonio Costa

PORTUGALI- Kryeministri i Portugalisë Antonio Costa i ka dorëzuar presidentit të vendit dorëheqjen, në mes të një hetimi për parregullsi të dyshuara në menaxhimin e projekteve të minierave të litiumit dhe hidrogjenit nga qeveria në vend. Cosa njoftoi lajmin gjatë një deklarate për mediat, pas takimit me Presidentin Marcelo Rebelo de Sousa. Ai tha se ndërgjegjja e tij  ishte e pastër, por nuk do të ishte më kandidat për kryeministër.

Ndërkohë zyra e prokurorit tha në një deklaratë më herët se 5 persona u arrestuan si pjesë e hetimit, duke përfshirë Vitor Escaria, shefin e stafit të Costa dhe një konsulent biznesi. Më shumë se 40 bastisje u kryen të martën në ndërtesa të ndryshme qeveritare, duke përfshirë zyrën e Escaria dhe ministritë e infrastrukturës dhe mjedisit. Hetimi, në të cilin u kontrolluan më shumë se 40 vendndodhje, fokusohet në koncesionet e minierave të Romano dhe Barroso në veri të vendit, si dhe një projekt për një fabrikë të prodhimit të energjisë së hidrogjenit dhe një tjetër për ndërtimin e një qendre të dhënash në qytetin Sines.

Kryetari i bashkisë së qytetit të Sines, Nuno Mascarenias, ndodhet në paraburgim, ashtu si edhe dy biznesmenë. Kujtojmë se të paktën 10 ministra dhe zëvendësministra u larguan nga qeveria vitin e kaluar, të paktën dy prej tyre në lidhje me skandalet në kompaninë ajrore TAP.

Costa ka qenë kryeministër i Portugalisë që nga viti 2015, kur ai drejtoi një qeveri të mbështetur nga një koalicion forcash të krahut të majtë dhe më pas mbikëqyri një bum turistik që nxiti rimëkëmbjen ekonomike të vendit pas viteve të trazirave financiare. Kryeministri u rizgjodh në vitin 2019 dhe së fundmi në zgjedhjet e parakohshme të mbajtura në 2022, kur Partia e tij Socialiste siguroi papritur një shumicë absolute të vendeve në parlamentin portugez./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB