Bota

Kërkon ulje dënimi, mafiozi italian 'Van Gogh' i jep shtetit një ishull artificial në Dubai

Imperiale, i cili kishte qenë në arrati për pesë vjet, u arrestua në Dubai në gusht 2021 dhe u ekstradua në Itali në mars 2022.

E.K
Kërkon ulje dënimi, mafiozi italian 'Van Gogh' i jep shtetit
Raffaele Imperiale

ITALI- Një ish-trafikant droge Raffaele Imperiale, i ka dorëzuar autoriteteve italiane një ishull artificial që zotëron në brigjet e Dubait me shpresën për të marrë një ulje të dënimit. Njoftimi u bë gjatë gjyqit në Napoli të hënën, ku përfshiheshin rreth 20 të pandehur, mes tyre dhe Raffaele Imperiale, me nofkën "bosi Van Gogh", një trafikant ndërkombëtar droge, pjesë e bandës Camorra.

Imperiale, i cili kishte qenë në arrati për pesë vjet, u arrestua në Dubai në gusht 2021 dhe u ekstradua në Itali në mars 2022. Sipas hetuesve, Imperiale bleu ishullin, të quajtur Tajvan, gjatë kohës që ishte fshehur. Vlera e tij vlerësohet në 60-80 milionë euro dhe është pjesë e një arkipelagu artificial në brigjet e Emirateve të Bashkuara Arabe të quajtur "Bota" dhe i formuar si një hartë e globit.

Imperiale, i cili është dënuar me 14 vjet e 10 muaj burg, po përpiqet të tregojë gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me autoritetet me shpresën për të marrë një dënim të reduktuar.

“Është e qartë se Imperiale kërkon ulje dënimi,” tha prokurori, Maurizio De Marco. 

“Ne po vlerësojmë vlefshmërinë e deklaratave të tij, por duket se nuk ka dyshime për vërtetësinë e tyre.”

Imperiale filloi karrierën e tij kriminale në një kafene në Amsterdam duke shitur kanabis dhe besohet se ka qenë lider i një superkarteli droge, së bashku me ish-kriminelin më të kërkuar të Holandës, Ridouan Taghi, bosin e bandës irlandeze Daniel Kinahan dhe trafikanti boshnjak i drogës Edin Gaçanin.

Daniel Kinahan, babai i tij, Christopher dhe vëllai Christopher Jr janë ende të lirë, pavarësisht nga një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për kokën e tyre. Autoritetet italiane e konsiderojnë grupin e Imperiale si një nga 50 kartelet më të mëdha të drogës në botë, me një monopol të kokainës peruane.

Imperiale, i cili gëzonte një mënyrë jetese luksoze në Dubai fitoi pseudonimin "bosi Van Gogh" sepse zotëronte dy piktura të vjedhura, të çmuara nga artisti holandez. Për të demonstruar gatishmërinë e tij për t'u bërë një informator mafioz, Imperiale ua ktheu pikturat autoriteteve gjyqësore. 

Pikturat ishin vjedhur më 7 dhjetor 2002 dhe mbetën të zhdukura për më shumë se 13 vjet derisa u zbuluan nga Guardia di Finanza italiane pranë Napolit në janar 2016. Ato u kthyen përfundimisht në Muzeun Van Gogh dhe u shfaqën në mars 2017./Zëri

Poll

MOS HUMB