
BULLGARI- Zyrtarët bullgarë të doganës njoftuan se kanë sekuestruar 403 kilogramë heroinë, të zbuluara në një kamion me targa turke, i cili udhëtonte nga Irani drejt Evropës Perëndimore, raportojnë mediat e huaja.
Heroina në 618 pako ishte fshehura brenda 156 dyshekëve të gjumit dhe do të transportohej me kamion. Zyrtarët vlerësuan sasinë e drogës në 8.5 milionë euro (gati 9 milionë dollarë).
Kamioni u konfiskua në pikën e kontrollit Kapitan Andreevo në kufirin turk, tha të shtunën prokurori rajonal i Haskovës, Ivan Stojanov. Droga mendohej se kishte origjinën në Iran dhe e destinuar për shpërndarje në disa nga 27 vendet e Bashkimit Evropian, tha ai. Bullgaria, e cila shtrihet në një rrugë droge nga Lindja e Mesme në Evropën Perëndimore, ka ndërmarrë hapa masivë në vitet e fundit për të parandaluar trafikun e drogës.
/ZËRI