
TIRANË- Një ngarkesë prej 600 kilogramësh kokainë është zbuluar në Valencia, Spanjë, në fundin e një kontejneri që transportonte avocado, ndërkohë që në pranga ranë 8 persona, një prej të cilëve shqiptarë. Arrestimet ndodhën mbrëmjen e së hënës së kaluar, kur trafikantët e dyshuar të drogës po përpiqeshin të merrnin pakot me kokainë për t'i hipur në një furgon.
Për të gjithë të arrestuarit, gjyqtari vendosi masën e arrestit me burg, ndërkohë që vetëm 3 prej tyre kanë pranuar që të japin dëshmi në Gjykatë.
Sipas informacioneve të autoriteteve spanjolle, ngarkesa u nis nga porti i Callao, në Peru, në një kamion me avokado dhe mbërriti në Valencia dy javë më parë. Që nga ai moment, agjentët e Ekipit të Krimit të Organizuar dhe Kundër Drogës (EDOA) inspektuan dërgesën dhe kryen një mbikqyrje të hollësishme, në mënyrë që të ndërhynin në momentin e duhur, që të kapnin edhe pritësit e kokainës.
Kështu, ngarkesa e avokadove u dërgua dhe u ndoq në destinacionin e saj, një magazinë në një zonë industriale në Malaga, ku shkarkoheshin frutat. Pas kësaj, i njëjti kamion u kthye në Valencia me kontejnerin, tashmë bosh, dhe e depozitoi atë në një terminal kontejnerësh në Quart de Poblet.
Arrestimet kanë ndodhur kur trafikantët e dyshuar të drogës po shkarkonin pakot me kokainë. Të arrestuarit synonin ta merrnin drogën në një furgon që e lanë të parkuar në rrugë, në të cilin disa po ngarkonin pakot.
Fakti që kishte kaq shumë njerëz të përfshirë në marrjen e drogës, është fakti se ata nuk mund të hynin me furgon në pjesën e brendshme të parkingut të kontejnerëve.
Nga tetë trafikantët e dyshuar të arrestuar, shtatë janë spanjollë dhe i teti është shqiptar. Ky i fundit vepronte si 'noter' i dërgesës për organizatën importuese të drogës, pra grupi kriminal që paguante dërgesën te prodhuesit kolumbianë dhe më pas kujdeset për shpërndarjen e saj.
Zakonisht, dërgesat e kësaj madhësie përfundojnë duke shërbyer për të furnizuar trafikantët spanjollë të drogës - kryesisht grupe me qendër në Madrid - dhe tregje të tjera evropiane.
/Zëri.ai