
DUBAI- Turistët e bllokuar në aeroportet kryesore të Dubait për shkak të përmbytjeve apokaliptike kanë mbetur pa ushqim dhe ujë, ndërsa presin me orë të tëra në një nga qendrat më të ngarkuara të transportit në botë. Rreth 290 fluturime u anuluan dhe 440 fluturime të tjera u vonuan, për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme, nga e cila humbën jetën 20 persona. Emirates, një linjë ajrore e madhe ndërkombëtare me bazë në Dubai, pezulloi check-in për pasagjerët që niseshin nga Dubai deri të enjten për shkak të motit të keq.

Pamjet nga qendra e Dubait tregojnë dhjetëra automjete të zhytura në një pjesë të autostradës "Sheikh Zayed", si dhe bllokime të trafikut në zona të tjera në autostradën me 12 korsi. Edhe pse retë janë larguar nga qielli i Dubait, raportohet se ka ende shumë vende nën ujë dhe se infrastruktura është shkatërruar.


Të martën, Emiratet e Bashkuara Arabe pësuan shkarkimin më të madh të reshjeve të shiut nga fillimi i regjistrimeve, 75 vjet më parë. Qendra Kombëtare Meteorologjike njoftoi se në Hatm al Shakl, në Emiratin Al Ain, në më pak se 24 orë ranë 254.8 mm shi. Mesatarja vjetore e reshjeve në vend është 140-200 mm, ndërsa Dubai zakonisht vetëm 97.


Mesatarja mujore për muajin prill është vetëm rreth 8 mm. Reshjet e dendura kanë goditur gjithashtu Arabinë Saudite dhe Bahreinin. Shumë faktorë kontribuojnë në përmbytjet, por ngrohja atmosferike e shkaktuar nga ndryshimet klimatike i bën më të mundshme reshjet ekstreme. Bota tashmë është ngrohur me rreth 1.1 gradë Celsius dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten nëse qeveritë në mbarë botën nuk reduktojnë në mënyrë drastike emetimet e gazrave serrë./ZËRI