
SHBA- 2 milionë makina të Tesla-s janë tërhequr këtë të mërkurë nga tregu amerikan për shkaqe sigurie. Raportohet se makinat e tërhequra nga tregu janë të pajisura me sistemin e avancuar ndihmës-shofer, apo autopilot. Këtu sipas ekspertëve, është dhe problemi. Vetë kompania shprehet se autopiloti është i sigurt dhe garanton sigurinë dhe kur shoferi nuk është i vëmendshëm përballë një rreziku të mundshëm.
Administrata Kombëtare e Sigurisë së Trafikut (AKST) tha se ka dy vjet që është duke e hetuar kompaninë për prodhimin e veturave, e cila udhëhiqet nga miliarderi Elon Musk, për të parë nëse veturat Tesla garantojnë se shoferët janë të vëmendshëm kur e përdorin autopilotin.
Për Reuters, Ann Carlson nga AKST u shpreh se “është shumë e rëndësishme që sistemet për vëzhgimin e shoferëve ta kenë parasysh se njerëzit i besojnë teknologjisë më shumë seç duhet”.
Autopiloti i Teslës ka për qëllim t’ua mundësojë veturave drejtimin e timonit, gazin dhe frenimin në mënyrë automatike vetëm brenda korsisë së tyre, ndërsa autopiloti i avancuar mund të ndihmojë edhe në ndërrimin e korsisë në autostrada, por nuk i bën veturat plotësisht të pavarura në lëvizje. Tesla nuk ka treguar nëse do t’i tërheqë veturat edhe nga shtetet e tjera, përveç SHBA-së./ZËRI