
BRITANI E MADHE- Ndërsa Pallati Buckingham po mban heshtje lidhur me atë që po ndodh me shëndetin e Kate Middleton, burime nga brenda pretendojnë se gjërat janë të vështira dhe serioze. Burimet thonë se princesha e Uellsit është duke u rikuperuar mirë nga operacioni abdominal dhe nuk do të kthehet në detyrë para Pashkëve. Megjithatë, gazetarja spanjolle Concha Calleja, duke folur në emisionin "Fiesta të Telecinco", zbuloi se si po kalon Kate Middleton pas operacionit në bark.
“Unë fola me një ndihmës në pallat dhe ai më siguroi se diçka shkoi keq në periudhën pas operacionit. Situata është kaq e rëndë prandaj vendosën të dalin me deklaratë zyrtare. Hera e fundit që e pamë ishte në darkën e Krishtlindjes dhe që atëherë ajo filloi të mos ndihej mirë. Kate u shtrua më 28 dhjetor dhe prej disa ditësh ndodhet në duart e mjekëve. Besoj se pallati do të nxjerrë një njoftim të ri në ditët në vijim, duke shpjeguar më mirë se çfarë po ndodh. Vetë operacioni ishte serioz, zgjati disa orë dhe kishte një rrezik, i cili nuk u shfaq në tavolinën e operacionit, por më pas”.
Pavarësisht se pallati pretendoi zyrtarisht se Kate është në gjendje të mirë shëndetësore pas operacionit, gazetari Marc Roche shpjegoi për revistën Madame Figaro se situata është "shumë e rëndë”. Ky qëndrim është mbështetur nga autori i librit “Les Borgia à Buckingham” për faktin se Princesha e Uellsit do të duhet të qëndrojë për një kohë të gjatë, deri në Pashkë, larg detyrave të saj dhe daljeve publike.
“Pallati ka zbuluar në mënyrë transparente gjendjen e mbretit Charles, por për sa i përket Kate, gjërat janë ndryshe. Anulimi i paraqitjeve publike, vizitave apo udhëtimeve zyrtare nuk është i parëndësishëm. Kjo është një shenjë se situata është shumë e rëndë. Ekziston një besim se princesha ka një problem gjinekologjik. Por këto janë vetëm thashetheme. Nuk besoj se pallati gënjen kur mohojnë kancerin sepse herët a vonë do ta zbulojmë,”-tha Roche.
Princesha e Uellsit iu nënshtrua një operacioni abdominal në fillim të kësaj jave, pas thashethemeve me disa skenarë që pretendonin për një sëmundje të rëndë. Megjithatë, pallati nuk pranon të japë detaje dhe deklaron se princesha është në gjendje të mirë shëndetësore./ZËRI