Bota

Izraeli vazhdon bombardimet në Rafah, dhjetëra civilë të vrarë! Pakësohen ndihmat humanitare

Numri i kamionëve me ndihma që hyjnë në Rripin e Gazës është ulur me 67% që nga fillimi i operacionit në Rafah, sipas një raporti të publikuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare

E.K

Izraeli vazhdon bombardimet në Rafah, dhjetëra civilë të

Izraeli është i vendosur të vazhdojë sulmet në Rafah, pavarësisht urdhrit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për të ndaluar menjëherë operacionet e tij, të cilat kanë vrarë dhjetëra njerëz, civilë dhe punëtorë vullnetarë të organizatave humanitare, ditët e fundit. Sipas asaj që tha sot zëdhënësi i qeverisë izraelite, David Menser, forcat izraelite kanë vrarë rreth 300 persona të armatosur palestinezë gjatë operacionit që filloi më 6 maj në qytetin jugor të Gazës.

Drama e civilëve dhe punonjësve humanitarë

Megjithatë, në të njëjtën kohë, përveç njerëzve të armatosur për të cilët flet Izraeli, ka edhe shumë civilë që kishin gjetur strehim në kampe të ndryshme dhe u vranë nga bombardimet. Vetëm të dielën, 45 persona vdiqën nga sulmet dhe zjarri që rezultoi në Tal al-Sultan në veriperëndim të Rafahut, në një operacion të organizuar, sipas IDF, për të neutralizuar dy figura të larta të Hamasit. Gjakderdhja vazhdoi gjatë dy ditëve të mëparshme, me të paktën 37 njerëz të vrarë, shumica e të cilëve ishin strehuar në tenda jashtë Rafahut, sipas dëshmitarëve dhe zyrtarëve të spitalit.

Në të njëjtin kontekst, Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze njoftoi se dy nga punonjësit e saj vullnetarë u vranë mbrëmë në Tel al-Sultan në perëndim të Rafahut, duke folur për një "krim lufte". Sipas deklaratës, viktimat ishin në një ambulancë me simbolet e organizatës kur ajo u sulmua nga IDF. Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se të dy ishin rrugës për të shpëtuar të plagosurit nga zona. Forcat izraelite, nga ana e tyre, komentuan se kanë gjuajtur një predhë kundër një automjeti të dyshimtë që po i afrohej anëtarëve të organizatës.

Numri i kamionëve me ndihma që hyjnë në Rripin e Gazës është ulur me 67% që nga fillimi i operacionit në Rafah, sipas një raporti të publikuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare. (OCHA). Raporti tregon se midis 7 majit dhe 28 majit, numri i kamionëve ra në një mesatare prej 58 në ditë, krahasuar me 176 midis prillit dhe 6 majit. E gjithë kjo, ndërsa këshilltari izraelit për sigurinë kombëtare Tsachi Hanegbi theksoi se lufta mund të vazhdojë edhe për "shtatë muaj të tjerë" për të arritur qëllimin e deklaruar për shkatërrimin e Hamasit./ZËRI

Poll

MOS HUMB