
TEL AVIV- Qeveria izraelite thotë se është pajtuar me propozimin e Donald Trump për armëpushim. Në një deklaratë zytare shkruhet se pranohet kërkesa e presidentit amerikan, por shtohet: Izraeli do t’i përgjigjet me forcë çdo shkeljeje të armëpushimit. Qeveria izraelite thotë se ra dakord me propozimin për armëpushim pasi pretendon se ka "arritur objektivat" e sulmeve të saj ndaj Iranit.
Sipas deklaratës, Izraeli ka zhdukur kërcënimin e dyfishtë të Iranit për armët bërthamore dhe raketat balistike. Gjithashtu thuhet se Izraeli ka shkaktuar dëme të rënda ndaj udhëheqjes ushtarake dhe ka shkatërruar dhjetëra objektiva qendrore të qeverisë iraniane.
Deklarata vazhdon duke thënë se forcat izraelite, në ditën e fundit, kanë goditur rëndë objektiva qeveritare në zemër të Teheranit, duke eliminuar qindra operativë të Basij - një forcë ushtarake që qeveria iraniane shpesh e përdor për të shtypur protestat.
“Izraeli falënderon Presidentin Trump dhe Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e tyre në mbrojtje dhe pjesëmarrjen e tyre në eliminimin e kërcënimit bërthamor iranian,”- shtohet në deklaratë.
Izraeli nisi sulme në shkallë të gjerë ndaj Iranit më 13 qershor, duke shënjestruar objektet bërthamore dhe raketore, si dhe udhëheqësit ushtarakë dhe shërbimet e sigurisë. Shumë figura të rëndësishme ushtarake dhe shkencëtarë bërthamorë janë vrarë në sulme. Që nga nisja e sulmeve fillestare izraelite, të dy vendet shkëmbyen raketa në sulme ajrore ndaj njëri-tjetrit. Nga të dyja palët raportohet për mijëra viktima./ZËRI