
IZRAEL- Izraeli thuhet se është i gatshëm të lejojë liderin ushtarak të Hamasit, Yahya Sinwar, të shkojë në mërgim në këmbim të lirimit të të gjithë pengjeve dhe përfundimit të sundimit të Hamasit në Gaza, shkruajnë mediat e huaja.
Ideja e mërgimit për të hapur rrugën për një organ të ri qeverisës të deradikalizuar të Gazës ka qenë “në tryezë” që nga nëntori, sipas një këshilltari tjetër të lartë të qeverisë izraelite. Izraeli ishte zotuar më parë se të gjithë liderët e grupit terrorist Hamas në Gaza do të vriteshin ose kapeshin.
Izraeli thuhet se u tha negociatorëve amerikanë në Paris javën e kaluar se ka një listë me gjashtë liderë të Hamasit, duke përfshirë Sinwar dhe ushtarakun e lartë Mohamed Deif, që dëshiron të largohet nga Rripi i Gazës./ZËRI