
UASHINGTON- Gazetarja e Daily Mail, Emily Goodin, e cila udhëtoi me Air Force One, në momentin kur presidenti i SHBA, Joe Biden u diagnostikua me COVID. Ajo tha se të gjithë gazetarët ishin të painformuar dhe askush zyra e presidencës nuk jepte informacione për mediat. Gazetarët pritën rreth 2 orë deri sa më në fund mësuan detaje lidhur me gjendjen shëndetësore të presidentit.
Shkrimi i plotë dhe rrëfimi i gazetares:
Air Force One po fluturonte aq shpejt sa unë po dridhesha në sediljen time. 30 minuta para se të ndahej lajmi me publikun, shtypi u njoftua se presidenti Biden ishte diagnostikuar me COVID. Ne iu bashkuam presidentit në një fluturim “të çmendur” për t'u kthyer nga Las Vegas në Delaware ku presidenti do të izolohej. Pak çaste pasi vendosa rripin tim, motorët e Boeing 747 presidencial u ndezën. Tavolinat po tundeshin, ndërsa gazetarët mbanin në duar gotat e tyre me ujë që të mos derdheshin. Megjithatë, më shqetësuesja ishte se nuk e kishim idenë se çfarë po ndodhte. Për arsye sigurie, nuk ka Wi-Fi në Air Force One, kështu që ne u shkëputëm nga bota e jashtme. Një mjek gjithmonë udhëton me Presidentin, por asnjë detaj nuk u tregua për llojin e kujdesit që po merrte ose sa i sëmurë ishte. Dy herë, ne i kërkuam sekretares së shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, e cila ishte gjithashtu në bord, të na jepte një përditësim mbi gjendjen e Biden. Dy herë na e mohoi.
U vendos se presidenti nuk do të shihej më në publik për gati një javë. Në më pak se katër ditë, karriera e tij 52-vjeçare në politikë do të kishte një fund dramatik. Në fund të fundit, java e Biden-it kishte filluar me ngjarje të shumta. Të hënën, më 15 korrik, pavarësisht thirrjeve të përshkallëzuara nga brenda partisë Demokratike që presidenti të largohej nga gara e vitit 2024, ai u duk se ishte në një humor të mirë. Kjo do të ishte hera e parë që ai do të fliste me reporterët nga tentativa për vrasjen e Donald Trump dy ditë më parë.
"Cila është pyetja juaj", më pyeti Biden.
"A i beson detajet e Shërbimit Sekret?", e pyeta.
"Po, po", u përgjigj ai.
"Cili është mendimi juaj për JD Vance?", pyeti një tjetër.
“Një 'klon' i Trump”, tha ai.
Dhe me këtë, Biden u largua, duke hipur në Air Force One për një fluturim për në Vegas, ku ai duhej të fliste si në Konventën Kombëtare të të Drejtave Civile NAACP, dhe në konferencën Hispanike UnidosUS. Por të mërkurën diçka e çuditshme po ndodhi. Presidenti ishte vonë.
Kur Biden më në fund arriti në një restorant meksikan ne u bëmë gati për ta fotografuar, por befas, Shërbimi Sekret mbuloi dritaren. Kur më në fund doli nga dera, ai dukej në gjendje të keqe. Ai dukej i zbehtë, i dobët, i rraskapitur dhe lëvizte ngadalë nëpër dhomë.
"Ai duket keq", mërmëriti një gazetar.
Të gjithë ramë dakord!
Më pas, po prisnim konferencen për shtyp të presidentit, por asgjë. Kaluan 30 minuta. 60 minutat u kthyen në 90 dhe më shumë. Ne pyetëm vazhdimisht për vonesën, por nuk morëm përditësime.
Më në fund, një koleg mësoi diçka.
“Biden ka COVID", bërtiti ai.
Pak çaste më vonë, ne mund të shihnim Karine Jean-Pierre dhe stafin e Bidenit të grumbulluar në furgonat e tyre. Në orën 15:10, autokolona më në fund filloi të lëvizte. Nuk na thanë se ku po shkonim, por kishte vetëm një destinacion të mundshëm: aeroportin.
Në orën 15:12, Jean-Pierre na informoi se Biden është diagnostrikuar me COVID./ZËRI/