
TIRANË- Tre fëmijë të vegjël grumbullohen para një aparati fotografik, këmbëkryq dhe thonë: Ju lutem na përkrahni. Ne jemi shumë të varfër! Ata duket se janë në një kasolle me tulla balte në Afganistan, duke jetuar në varfëri ekstreme. Por pamjet e tyre shpërndahen në mbarë botën nëpërmjet "TikTok Live". Për orë të tëra, ata lypin për "dhurata" virtuale që më vonë mund të shkëmbehen me para. Kur marrin një, duartrokasin me mirësjellje. Në një tjetër transmetim të drejtpërdrejtë, një vajzë kërcen dhe bërtet, e cila e bleu atë nga TikTok për rreth 1 cent. Deri në momentin që të arkëtohet, kjo "lule" mund të vlejë më pak se një e treta e qindarkës.
TikTok thotë se ndalon lypjen e fëmijëve dhe format e tjera të lypjes që i konsideron shfrytëzuese. Por një hetim i Observer ka gjetur se kjo praktikë është e përhapur. Transmetimet e drejtpërdrejta promovohen në mënyrë aktive nga algoritmi dhe TikTok përfiton nga përmbajtja, duke marrë tarifa dhe komisione deri në 70%.
Olivier de Schutter, raportuesi i posaçëm i OKB-së për varfërinë ekstreme dhe të drejtat e njeriut, e quajti trendin një "zhvillim tronditës" të metodave të shfrytëzimit të fëmijëve.
"Kjo nuk është asgjë më pak se lypje dixhitale. Unë i bëj thirrje TikTok të marrë masa të menjëhershme dhe të zbatojë politikat e veta dhe të vërë në dyshim seriozisht 'komisionin' që po merr nga njerëzit më të cenueshëm në botë,"-tha ai.
Jeffrey DeMarco, ekspert i dëmit dixhital në Save the Children, tha: Praktikat e dokumentuara përfaqësojnë abuzime dhe duhet të ndërmerren veprime të menjëhershme për të siguruar që platformat të mos lejojnë më këto shfaqje.
Analiza e kryer midis janarit dhe prillit 2025 gjeti prova të lypjes në vende si Indonezia, Pakistani, Afganistani, Siria, Egjipti dhe Kenia.
Një llogari, e cila transmetohet pothuajse çdo ditë, shfaq rregullisht fëmijë të ndryshëm. Gjatë një transmetimi në shkurt, ai tregoi shtatë djem të rinj që lypnin për dhurata dixhitale. Të nesërmen, djem të tjerë u shfaqën në të njëjtin vend, të ulur pranë të njëjtëve persona të rritur. Pasi u lajmërua për ekzistencën e llogarisë nga "Observer", TikTok e pezulloi atë brenda dy orëve.
Një llogari tjetër me 5300 ndjekës shfaq një burrë të moshuar në një karrige me rrota. Llogaria duket se drejtohet nga një palë e tretë, por nuk ka asnjë informacion për identitetin e këtij personi. Përshkrimi i llogarisë thotë "njerëz të varfër" të ndjekur nga emoji me fytyrë që qan.
Përtej lypjes, gjatë transmetimeve të drejtpërdrejta ka pasur edhe njerëz me tendenca degraduese dhe ndonjëherë të rrezikshme në këmbim të dhuratave virtuale. Ka njerëz që goditen, qëndrojnë zgjuar për periudha të gjata, mbulohen me baltë, ose flenë gjumë duke mbajtur kameran e hapur.
Që nga gushti 2020, "TikTok Live" është një seksion i aplikacionit ku krijuesit mund të shfaqen tek shikuesit në kohë reale. Sipas TikTok, 100 milionë njerëz dolën live në vitin 2024.
Ata që dalin live nuk marrin vlerën totale të dhuratës, por u jepen "diamante" bazuar në dhuratat, popullaritetin dhe kohëzgjatjen e transmetimit të tyre. Pas komisionit dhe tarifave, zakonisht atyre u lihet rreth gjysma e vlerës origjinale të dhuratës, por ndonjëherë deri në 30%. TikTok ofron më shumë se 100 dhurata dixhitale që shikuesit mund t'i blejnë, duke filluar nga një trëndafil që kushton një monedhë (rreth 1 cent) deri tek "universi" që kushton rreth 450 £./ZËRI
Marrë nga "The Guardian"