
SHBA- Agjencitë e inteligjencës amerikane thonë se vendi përballet me një "rend botëror gjithnjë e më të brishtë", të tensionuar nga konkurrenca e fuqive të mëdha, sfidat transnacionale dhe konfliktet rajonale, në një raport të publikuar ndërsa liderët e agjencive dëshmuan në Senat.
“Një Kinë ambicioze por e shqetësuar , një Rusi konfrontuese , disa fuqi rajonale, si Irani, dhe aktorë më të aftë joshtetërorë po sfidojnë rregullat e vjetra të sistemit ndërkombëtar, si dhe primatin e SHBA-së brenda tij”, thuhet në raportin vjetor të agjencisë për kërcënimet botërore që mbulon zhvillimet e vitit 2023, raporton The Guardian.
Lidhur me Ballkanin Perëndimor, në raport thuhet se ky rajon “ndoshta do të përballet me një rrezik në rritje të dhunës së lokalizuar ndëretnike gjatë vitit 2024”. Raporti i referohet ngjarjeve të fundit në rajon, si agresioni i Banjskës ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, dhe tensionet e muajit maj 2023, ku përleshjet mes KFOR-it dhe protestuesve serbë në veri të Kosovës lanë të plagosur dhjetëra ushtarë të forcave paqeruajtëse.
“Udhëheqësit nacionalistë ka të ngjarë të acarojnë tensionet për avantazhin e tyre politik dhe aktorët e jashtëm do të nxisin dhe shfrytëzojë dallimet etnike, për të zgjeruar ose mbrojtur ndikimin e tyre rajonal, ose për të penguar integrimin e mëtejshëm të Ballkanit në BE ose në institucionet euroatlantike”, thuhet në raport.
Emocionet u rritën në seancë ndërsa disa senatorë diskutuan imigracionin përtej kufirit të SHBA-së me Meksikën, të cilin Trump e ka vënë në fokus të fushatës së tij për të mposhtur Joe Biden në zgjedhjet e nëntorit.
Drejtori i FBI-së, Christopher Wray shprehu shqetësimin për "implikimet e terrorizmit nga synimi i mundshëm i dobësive në kufi", duke vënë në dukje kërcënimet në rritje nga amerikanët të frymëzuar nga grupet islamike dhe militantë të tjerë të huaj që nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor./ZËRI