
NJU DELHI- India dhe Pakistani kanë arritur një marrëveshje për një armëpushim të plotë dhe të menjëhershëm! Kështu njoftoi presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump nëpërmjet llogarisë së tij në Truth Social. Nga ana e tij, sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha se të dyja palët ranë dakord gjithashtu për bisedime mbi një gamë të gjerë çështjesh në "tokë neutrale".
Sipas Donald Trump, marrëveshja për armëpushim u arrit "pas një nate të gjatë bisedimesh të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara".
"Urime të dy vendeve për logjikën e shëndoshë dhe inteligjencën e madhe që demonstruan,"-shkruan Trump.
Menjëherë më pas, zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm i Pakistanit, Ishaq Dar, përsëriti se India dhe Pakistani kishin rënë dakord për një armëpushim të menjëhershëm.
"Pakistani dhe India kanë rënë dakord për një armëpushim të menjëhershëm. Pakistani gjithmonë ka luftuar për paqen dhe sigurinë në rajon, pa hequr dorë nga sovraniteti dhe integriteti territorial i tij!,"- shkroi ai në X.
Rubio: Bisedime në terren neutral
Më shumë informacion në lidhje me marrëveshjen u dha, nëpërmjet një postimi në X, nga kreu i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, duke thënë se në 48 orët e fundit, ai dhe zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance kanë qenë në kontakt me zyrtarë të lartë nga të dy vendet, përfshirë Kryeministrat Narendra Modi dhe Shehbaz Sharif.
Të paktën 13 civilë u vranë në Kashmirin pakistanez gjatë 12 orëve deri në mesditë të sotme, sipas autoritetit lokal të menaxhimit të fatkeqësive, ndërsa India dhe Pakistani shkëmbyen zjarr pasi Pakistani ndërmori veprime ushtarake kundër Indisë në orët e para të mëngjesit.
Fuqia ushtarake e të dy vendeve
Rreziku i përdorimit të armëve bërthamore, meqenëse India dhe Pakistani zotërojnë afërsisht 350 koka bërthamore, po shkakton shqetësim global. Sipas simulimeve nga Universiteti i Princetonit, një përplasje e tillë mund të shkaktojë vdekjen e deri në 125 milionë njerëzve, si dhe pasoja globale mjedisore dhe ekonomike, siç janë rënia e temperaturave dhe epidemitë. Sipas Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë, India tani ka afërsisht 180 koka bërthamore, duke tejkaluar 170 kokat e Pakistanit. Në të njëjtën kohë, strategjia indiane po përmirësohet me teknologjinë MIRV - aftësinë për të lëshuar shumë koka bërthamore nga një raketë e vetme - e cila i shndërron raketat Agni-5 në mjete për pengim dhe sulm të njëkohshëm.
Nga ana tjetër, Pakistani përballet me kufizime ekonomike dhe nevojën për të ruajtur një pengesë të mirë kundër makinës ushtarake indiane, e cila është padyshim superiore. Hendeku bëhet edhe më i qartë në shifra: 79 miliardë dollarë për shpenzimet indiane të mbrojtjes në vitet 2025–26, krahasuar me vetëm 8 miliardë për fqinjët pakistanezë./ZËRI