
SHBA- Shërbimi Sekret Amerikan ka vendosur që të rrisë nivelin e sigurisë në takimet elektorale që do të zhvillojë ish-presidenti dhe njëherësh kandidati për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump. Një prej masave të para që pritet të ndërmerret është vendosja e një xhami antiplumb pas të cilit ai do të qëndrojë gjatë fjalimeve të tij publike përpara turmave.
Nga frika e një përpjekjeje të re për ta vrarë 78-vjeçarin dhe pas kritikave të shumta nga politikanët republikanë, Shërbimi Sekret do të punojë më shumë për të parandaluar që dështimet e sigurisë të përsëriten.
Pjesë e kësaj është futja e xhamit antiplumb, që është një masë e rezervuar normalisht vetëm për presidentin dhe zëvendëspresidentin aktual të SHBA-së.
Kujtojmë se Donald Trump i mbijetoi një atentati më 13 korrik të këtij viti.
Një pjesëmarrës në tubim u vra nga të shtënat dhe dy të tjerë u plagosën. Zyrtarët e FBI-së nuk kanë identifikuar ende një motiv për sulmuesin e dyshuar, 20-vjeçarin Thomas Crooks, i cili u qëllua për vdekje nga një agjent i Shërbimit Sekret pasi hapi zjarr.
Konsensusi mes politikanëve republikanë ishte se Shërbimi Sekret, i ngarkuar me sigurinë e ish-presidentëve amerikanë, kishte bërë lëshime në sektorin e sigurisë.
Dëshmi e kësaj është dorëheqja e drejtoreshës së Shërbimit Sekret amerikan, Kimberly Cheatle, ndonëse ajo tha para Senatit tha se nuk ka pasur ndonjë lëshim të madh./ZËRI