
RUSI- Sulmi rus në Odessa gjatë pranisë së kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis në Ukrainë, mund të ketë qenë një mesazh. Shpërthimi me raketë ndodhi vetëm 200 metra larg vendit ku ndodhej kreu i qeverisë greke dhe presidenti ukrainas të cilët më pas do të mbanin një takim. Ngjarja është pasuar me një sërë reagimesh nga palët dhe Rusia.
Ndër të parët ka qenë, kryeministri Rama i cili e cilësoi si provokim të rrezikshëm dhe të pamatur sulmin. Një reagim ka ardhur edhe nga kreu i qeverisë greke, Kyriakos Mitsotakis. Ai i dërgoi një mesazh Kremlinit nga platforma e konferencës së Partisë Popullore Evropiane, duke thënë se ky sulm nuk i frikëson aspak dhe se do të vazhojnë të mbështesin Ukrainën në këtë luftë të ashpër mes dy vendeve.
“Ne treguam mbështetjen tonë për Ukrainën në një mënyrë që ishte befasuese për disa nga armiqtë tanë. Dhe kurrë Evropa nuk ka treguar një përgjigje të tillë, me sanksione ndaj Rusisë, me mbështetjen e Ukrainës ushtarakisht dhe financiarisht: asnjë shkelje e ligjit ndërkombëtar dhe asnjë përpjekje për të ndryshuar kufijtë me forcë nuk do të pranohet nga familja jonë politike”, tha ai.
Më herët, një këshilltar i presidencës ukrainase deklaroi se nuk mund të përjashtohet mundësia që sulmi me raketa ruse të kishte për qëllim delegacionet Volodymyr Zelenskyy ose kryeministrit Kyriakos Mitsotakis.
“Në fakt ishte më pak se 500 metra larg nesh. Çfarë ishte kjo?... Nuk mund të përjashtoni që po shkonte në delegacionin e presidentit tim ose në misionin e një mysafiri të huaj.U deshën më pak se tre minuta që raketa të arrinte objektivin, portin e Odessa. Nëse do të kishim mjete të mjaftueshme të mbrojtjes ajrore, kjo raketë balistike mund të ishte kapur”, tha Ihor Zovkva, një këshilltar i lartë diplomatik ukrainas, në një intervistë për CNN Live.
Mirëpo, përgjigja e Rusisë nuk ka vonuar. Nënkryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë dhe një bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit rus i ka hedhur poshtë këto pretendime dhe akuza. Dmitry Medvedev tha sot se Rusia nuk kishte për synim të shënjestronte delegacionin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy.
Ai shtoi se Moska do të kishte goditur objektivin e saj nëse ai do të ishte objektivi dhe është e qartë për të gjithë se nuk kishte asnjë sulm të planifikuar në autokolona.
“Është e qartë për të gjithë. Dhe se nuk pati asnjë goditje kundër kolonës në Odessa. Dhe nëse do të ishte një qëllim, ne do ta arrinim atë”, ka shkruar Medvedev në kanalin e tij Telegram
Qeveria greke po heton shkaqet dhe burimin e sulmit rus në Odessa, siç ka bërë me dije organi i Kuvendit ministri i Jashtëm, Giorgos Gerapetritis. Siç tha ai, Greqia dhe Ukraina po punojnë së bashku për të zbardhur sulmin./ZËRI