
PRISHTINË- Përplasja e të dielës, me armë zjarri në manastirin e Basnjkës në Leposaviçit ka sjellë viktima por edhe shumë reagime nga ndërkombëtarët. Edhe sot, vijon vazhda e reagimeve nga ndërkombëtarët dhe jo vetëm. Serbia ka shpallur ditë zie, 27 shtatorin, në nder të serbëve të vrarë, ndërkohë që sot, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka kërkuar nga ambasadorët e shteteve të QUINT-it (Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Gjermania dhe Franca) dhe shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian që KFOR-i të kujdeset për të gjitha çështjet e sigurisë në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
“I kam pyetur pse [misioni i BE-së në Kosovë për Sundim të Ligjit] EULEX-i është refuzuar nga Policia e Kosovës që të marrë pjesë në operacionin e kryer në veri të Kosovës,”-ka bërë me dije presidenti, pa dhënë më shumë detaje për pretendimin e tij. Kjo pasi në Kosovë, reaguesi i parë për sigurinë e territorit të Kosovës është Policia (e cila u përball me grupin e armatosur serb); EULEX-i dhe në fund misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR. Por nuk i komentoi pamjet e siguruara nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla se pjesë e grupit "të zjarrit" ishte dhe nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç.
Aktualisht në pikën që jemi, 2 ditë pas ngjarjes, Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës. Me diplomaci dhe me gjuhë të butë, e hedhin fajin nga Serbia. Por kaq!
Sipas tyre, sulmi nuk ka qenë spontan, pra rrjedhimisht ka qenë i organizuar nga serbët. Por nuk e thonë kështu, duke u ndalur në hapat që pritet të merren më pas dhe tek zbardhja e ngjarjes, që duket e qartë që nga momenti i parë. Megjithatë reagime ka pasur.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se ende ka të panjohura lidhur me sulmin e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës, por theksoi se grupi që sulmoi policinë, nuk përbëhej nga qytetarë që u mlodhën "spontanisht" duke hedhur poshtë pretendimet e Beogradit zyrtar.
“Ne ende po punojmë për të kuptuar se si dhe kush është përgjegjës dhe pse. Por dua të them, ju keni parë pamjet e pajisjeve ushtarake dhe planet që ishin zhvilluar. Ky nuk ishte një grup i qytetarëve që sponatisht u bënë së bashku për të shprehur shqetësimet e tyre. Ky ishte një grup i trajnuar dhe i organizuar. Kjo nënkupton se pas tyre ka një lloj strukture, duke pasur parasysh trajnimin dhe pajisjet. Ne duam që kjo ngjarje të zbardhet dhe ata të mbahen përgjegjës,”- tha Hovenier për gazetarët, pasi u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Homologu i tij në Beograd, Christofer Hill tha se sulmi ishte “një ngjarje tragjike”, ndërsa bëri thirrje për vazhdimin e procesit politik të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
“Ishte një ngjarje tragjike dhe ne të gjithë duhet ta dënojmë vrasjen e një pjesëtari të policisë së Kosovës. Gjithmonë është për keqardhje humbja e jetëve, por mendoj se e është e rëndësishme që të vazhdojmë me procesin politik. Mendoj se po zhvillohen procese për të nxitur më tej dialogun,”- tha ambasadori Hill gjatë një debati ne Beograd. Komentet u bënë pas takimit të ambasadorëve të QUINT-it.
Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian insiston që përgjegjësit për sulmin ndaj Policisë së Kosovës që ndodhi në veri të vendit, të vihen para drejtësisë dhe të gjitha faktet të verifikohen. Zëdhënësi i BE-së për çështje të jashtme dhe siguri, Peter Stano sqaroi, pikë së pari presidentin Vuçiç, i cili e ka vënë disa herë në pikëpyetje rolin e EULEX-i në përplasjen e armatosur, se po bashkëpunojnë me autoritetet e Kosovës. Ndërsa i ka mëshuar faktit se autorët duhet që të dalin para përgjegjësisë.
“EULEX-i është në terren si reaguesi i dytë. Është i angazhuar me kërkesë të Policisë së Kosovës. Bashkëpunimi deri më tash ndërmjet Policisë së Kosovës dhe EULEX-it është shumë i mirë. Komandanti i EULEX-it është në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, dhe informon për të gjitha hollësitë në terren. Hetimet po vazhdojnë dhe ato nuk janë kryer akoma. Ato janë krejtësisht në duart e Policisë së Kosovës, dhe me kërkesë, ata asistohen nga EULEX-i dhe KFOR-i. Duhet të vërtetohet se kush i bëri këto sulme terroriste, kush i organizoi, kush qëndron prapa tyre dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë. Sa i përket përgjegjësisë, mosndëshkueshmërisë, qëndrimi i BE-së është i qartë. Të gjithë përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë dhe këtu nuk ka asnjë dilemë. Përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, po ashtu ka qenë në kontakt, edhe me liderët në Kosovë dhe Serbi, por edhe me vendet anëtare. Vendet anëtare janë duke e analizuar situatën. Do të ketë takim sot pasdite edhe në Bruksel nga përfaqësuesit e vendeve anëtare ku do të diskutohet për hapat e nevojshëm,”-ka bërë me dije Stano në deklaratën e tij për mediat.
Më 24 shtator, në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup personash të maskuar dhe të armatosur derisa po shkonte për ta hetuar bllokimin e një rruge nga dy kamionë pa targa në fshatin Banjskë të Zveçanit. Si pasojë, u vra polici i Kosovës Afrim Bunjaku, ndërsa disa policë të tjerë u plagosën. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, Policia i vrau tre sulmues të nacionalitetit serb, ndërsa i arrestoi 8 të tjerë. Por aksioni duket se vazhdon edhe sot. Dhjetëra automjete të KFOR-it, duke përfshirë edhe makineri të rëndë kanë kaluar rreth orës 15:00 nga Mitrovica, përmes Bajnskës në drejtim të Leposaviçit, duke u rreshtuar në kufirin e Jarinjës, por ende nuk dihet shkaku. Gjithashtu, mediat vendase raportojnë se edhe një helikopteri i KFOR-it pothuajse vazhdimisht është duke fluturuar mbi këtë zonë, duke vëzhguar situatën nga ajri. Teksa ndërkombëtarët vëzhgojnë, Policia e Kosovës vazhdon "krehjen" e terrenit, në kërkim të gjurmëve të terroristëve. Janë gjetur armë dhe municione të tjera, por nuk ka persona të arrestuar.
E ashtu siç Sveçla tha: Aksioni vazhdon!/Zëri.ai