Bota

Tërmeti në Japoni, rritet numri i viktimave. Kryeministri: Jemi në garë me kohën

Autoritetet japoneze janë në luftë me kohën për të kërkuar dhe për të nxjerrë nga rrënojat persona të mbijetuar

E.K
Tërmeti në Japoni, rritet numri i viktimave. Kryeministri: Jemi
Termet ne Japoni

JAPONI- Japonia u godit nga një seri tërmetesh të fuqishme, që kanë shkaktuar deri tani 48 viktima, ndërsa dëmet janë të pallogaritshme.

Autoritetet në Japoni u bënë thirrje njerëzve në disa zona që të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të rrezikut se vendi mund të goditet nga tërmete të tjera të fuqishme. Tërmeti më i fuqishëm që u regjistrua ishte 7.6 ballë.

Gjashtëmbëdhjetë persona janë të plagosur rëndë, sipas zyrtarëve. Nga ana tjetër mijëra ndërtesa janë dëmtuar, megjithëse primare për autoritetet aktualisht është shpëtimi i njerëzve që janë nën rrënoja.

Në disa zona nuk ka ujë, energji dhe as shërbime të telefonisë. Kryeministri Fumio Kishida njoftoi se ushtria japoneze ka në gatishmëri  1.000 ushtarë në zonën e fatkeqësisë për t’iu bashkuar përpjekjeve të shpëtimit, ndërsa tha se vendi është në garë me kohën.

“Shpëtimi i jetës është prioriteti ynë dhe ne jemi në betejë me kohën. Është thelbësore që personat e bllokuar në shtëpitë e tyre të shpëtohen menjëherë”, tha ai.

Paralajmërimet e lëshuara nga Agjencia Meteorologjike e Japonisë për cunam u tërhoqën disa orë më vonë, pas qetësimit të situatës.

Të paktën 57 mijë banorë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre dhe janë strehuar në shkolla dhe qendra të komunitetit. Sipas parashikimeve të motit, Japonia do të përballet me reshje shiu, që ka rritur shqetësimet për ndërtesat veçse të dëmtuara.

Japonia shpesh goditet nga tërmetet sepse gjendet përgjatë asaj që njihet si “Unaza e Zjarrit”, që është një hark vullkanesh dhe pllakash tektonike në Pellgun e Paqësorit.

Që nga 1 janari 2024, kur ndodhi tërmeti i fuqishëm prej 7.6 shkallësh të Rihterit, Japonia është goditur nga rreth 100 dridhje të tjera pasuese të tokës.

Poll

MOS HUMB