
IZRAEL- Një sulm me dron në drejtim të shtëpisë së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ndodhi të shtunën në Caesarea, në veri të Izraelit, njoftoi zëdhënësi i tij.
Kryeministri nuk ndodhej në shtëpi në momentin e incidentit dhe nuk pati të lënduar. Ushtria izraelite konfirmoi se droni u lëshua nga territori libanez dhe goditi një ndërtesë, megjithëse nuk është saktësuar cila ndërtesë u dëmtua.
Sipas mediave të huaja, dy dronë të tjerë arritën në hapësirën ajrore izraelite, por u rrëzuan pa shkaktuar dëme apo viktima. Shërbimet emergjente izraelite po ashtu raportuan se nuk ka të plagosur, ndërsa policia përmendi shpërthime të dëgjuara në Caesarea, ku Netanyahu ka një shtëpi pushimi.
Deri tani, asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin, përfshirë Hezbollahun, organizatën libaneze të mbështetur nga Irani, e cila ka zhvilluar përplasje të shpeshta me Izraelin gjatë vitit të fundit. Hezbollahu kontrollon jugun e Libanit dhe është cilësuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian ka vendosur në listën e zezë vetëm krahun e tij ushtarak./ ZËRI