
SLLOVAKI- Jeta e kryeministrit sllovak Robert Fico "nuk është më në rrezik", pas atentatit me të cilin është përballur ditë më parë, ka thënë zëvendëskryeministri i Sllovakisë, Robert Kalinak të dielën. Kalinak, megjithatë, theksoi për gazetarët se gjendja e Fitzo ishte ende shumë e rëndë për të konsideruar transferimin e tij në një spital në kryeqytet. Megjithatë frika më e keqe ka kaluar tani për tani.
“Ai nuk është më në rrezik për jetë, por gjendja e tj vazhdon të jetë serioze dhe duhet të jetë në kujdes intensiv”, ka thënë Kalinak, aleati më i ngushtë politik i Ficos, raportojnë mediat e huaja.
Ndërkohë autori i dyshuar, i identifikuar si poeti 71-vjeçar Juraj Cintula, është akuzuar për tentativë vrasje me paramendim dhe është vënë në paraburgim nga një gjykatë penale speciale të shtunën. Cintula ka shtënë pesë herë me armë kundër Ficos, ndërsa kryeministri ka qenë në afërsi të mbështetësve të tij, pas takimit qeveritar të zhvilluar në qytezën Handlova.
Atentati ndaj kryeministrit sllovak është përpjekja e parë e madhe për vrasjen e një lideri politik evropian në 20 vitet e fundit dhe ka tërhequr kritika ndërkombëtare. Analistët politikë dhe ligjvënësit thonë se ajo ka ekspozuar një klimë politike gjithnjë më të polarizuar si në Sllovaki ashtu edhe në mbarë Evropën. 59-vjeçari Fico mori detyrën në tetor pasi partia e tij populiste e qendrës Smer fitoi zgjedhjet e përgjithshme. Ai po shërben mandatin e tij të katërt si kryeministër pas fushatës mbi propozimet për paqen midis Rusisë dhe fqinjit të Sllovakisë, Ukrainës, dhe për të ndalur ndihmën ushtarake për Kievin, gjë që ka bërë qeveria e tij./ZËRI