
BEOGRAD – Gjatë seancës plenare të mbajtur në Parlamentin e Serbisë, një pjesë e deputetëve të opozitës serbe, i kanë kërkuar llogari qeverisë në Beograd, në raport me atë që ndodhi në Banjskë të Zveçanit.
Bashkëkryetari i partisë opozitare, Nebojsha Zelenoviç tha në parlament se është e pamundur, që Milan Radoiçiç të ketë vepruar vetëm në Banjskë, i armatosur deri në dhëmbë dhe për këtë fakt mos të ketë dijeni Vuçiç dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë serbe.
“Unë pyes sot Vuçiçin, Gashiçin, Vulinin, sesi ka mundësi, që nuk e dinit se çfarë bënte Radoiçiç në Banjskë, me njerëz të armatosur deri në dhëmbë. Kjo ndodh, në një kohë, që është shkelje e rëndë e ligjit, në rast se një qytetar i Serbisë, mban armë zjarri.
Grupi në Banjskë ishte i organizuar, ata kishin shkuar atje në mënyrë të organizuar, kjo nuk ka diskutim dhe nuk ka shkuar askush në mënyrë private, siç u tha fillimisht. Keni 11 vjet që mashtroni qytetarët. Me këtë qeverisje, e ardhmja e Serbisë, është nën kërcënim”, tha Zelenoviç.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, Millenko Jovanov, u përgjigj, duke thënë se Zelenoviç vetëm kritikon dhe nuk sheh faktin se tre serbë vdiqën në ngjarjen e rëndë.
Një pjesë e opozitës në Serbi ka kërkuar më 3 tetor një seancë urgjente të Kuvendit, në të cilën, përmes formimit të Komisionit Hetimor, do të përcaktohej përgjegjësia e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, si dhe roli i Millan Radoiçiç, për ngjarjet në Banjksë. Por, ky propozim nuk është pranuar.
Debatet në parlamentin serb vijnë në ditën, që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka akuzuar ministrin e Mbrojtjes të Serbisë, Millosh Vuçeviç se qëndron pas sulmit në Banjskë.
Një grup serbësh të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë efektivin Afrim Bunjaku. Pasi anëtarët e grupit nuk pranonin të dorëzoheshin, Policia e Kosovës hapi zjarr, duke vrarë tre serbë./Zëri.ai/