Bota

Sulmi i 24 shtatorit/ Stoltenberg nga Kosova: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë

Stolenberg ka thënë se është e rëndësishme të ketë pasoja pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

f.t
Sulmi i 24 shtatorit/ Stoltenberg nga Kosova: Përgjegjësit të
Jens Stoltenberg dhe Vjosa Osmani

KOSOVË- Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ndodhet në Kosovë në vijom të turnit të tij në rajon. Stolenberg në një konferencë të përbashkët me presidenten Osmani, ka thënë se është e rëndësishme të ketë pasoja pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës, Afrim Bunjaku dhe tre sulmues serb.

“Sigurisht NATO nuk është institucion i zbatimit të ligjit, për këtë arsye është Policia e Kosovës dhe EULEX-i. Do t’i ngris këto çështje në takimin e nesërm në Serbi, dhe pres ata që ata që janë përgjegjës për këtë dhunë të mbahen përgjegjës, ky ka qenë mesazh i NATO-s, mesazhi im qe nga maji dhe është përsëritur dhe pas dhunës në shtator. Është e rëndësishme të ketë pasoja të bëjmë çdo gjë që mundemi që kjo lloj dhune nuk do të përsëritet edhe njëherë”,- tha ai.

Ndërkohë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se udhëheqës nga aspekti politik i sulmit terrorist në Banjskë është presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Serbia, për fat të keq, jo që nuk e ka ekstraduar udhëheqësin e atij sulmi terrorist, nga aspekti praktik, se nga ai politik udhëheqës i këtij sulmi ka qenë Vuçiç. Në vend se ta ekstradojë Vuçiç, po vazhdon t’ia ofrojë të gjithë infrastrukturën e mundshme që ai të planifikojë sulme të reja ndaj Kosovës. Ne i ndajmë informatat që institucionet tona i mbledhin më gjithë aleatët dhe partnerët dhe natyrisht do të bashkëpunojmë në mënyrë që sulmet e tilla të parandalohen në të ardhmen”, -tha Osmani.

Stolenberg ka nisur turneun e tij në rajon dhe do të zhvillojë takime me të gjithë liderët e Ballkanit. Sekretari i NATO-s gjatë qëdrimit të tij në Kosovë pritet të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti, dhe me komandantin e misionit paqeruajtës të aleancës në Kosovë, KFOR, Ozkan Ulutash. Pas Prishtinës, Stolenberg do të vizitojë Beogradin ku në takimet me Presidentin Serb Aleksandër Vuçiç, pritet të diskutojë sulmin e 24-shtatorit si dhe draft-statutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë./Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB