
SHBA- Ditarët e mbajtur nga Ruby Franke janë zbuluar dhe kanë detajuar torturat që ajo ushtronte ndaj fëmijëve të saj. 42-vjeçarja, e dënuar për abuzim me fëmijë, ka shkruar sesi njëri prej djemve të saj “refuzon të bënte ushtrime”, ndërsa një ditë më parë shkruante se ai duhet të qëndronte jashtë shtëpisë dhe të flinte atje. Në një moment tjetër aajo shkroi se një tjetër fëmijë, i shënuar me gërmën “E”, e kundërshton, ndaj ajo i ka rruar kokën.
Ditari u publikua të premten nga Prokurori i Qarkut të Uashingtonit, një muaj pasi Franke u dënua me 30 vjet burg. Nëna e gjashtë fëmijëve nga Utah e shkruante vetë në ditar sesi i ndëshkonte fëmijët e saj, pasi besonte se ata ishin të pushtuar nga djalli.
Ajo pohonte po ashtu se E. dhe R., 2 nga 6 fëmijët e saj kishin sjellje aq të devijuara, aq sa nuk kontrollonin funksionet e tyre trupore. Në të njëjtin ditar përshkruante sesi e la një prej djemëve të saj jashtë në diell dhe e godiste me një "çekiç" sa herë që ai përpiqej të lëvizte në hije. Në një fletë tjetër të ditarit të saj, ajo shkroi se u hodhi ujë të ftohtë fëmijëve dhe më pas i rrihte me një peshqir.
Ishte një prej fëmijëve, një djalë 12-vjeçar, ai që shkoi tek fqinjët për ndihmë. Ai u kërkoi që ta dërgonin në Komisariatin më të afërt, por fqinjët e thirrën aty Policinë për të kontrolluar të gjithë banesën, ku u vendos në pranga edhe nëna abuzuese.
Në fillim të vitit 2015, Franke krijoi një kanal në YouTube të quajtur "8 Pasagjerët" në të cilin ajo dokumentoi jetën e saj familjare në Utah me bashkëshortin e saj, Kevin, dhe gjashtë fëmijët e tyre. Ajo postonte pesë ditë në javë në orën 6:00 të mëngjesit dhe arriti që të siguronte 2.5 milionë ndjekës. Në vitin 2022, ajo u nda nga bashkëshorti dhe Kevin u largua nga shtëpia. Ruby fshiu kanalin YouTube dhe filloi të punonte si trajnere e shëndetit mendor në ConneXions, një kompani e drejtuar nga Jodi Nan Hildebrandt. Por teksa "ndihmonte" të tjerët, brenda mureve të shtëpisë së saj, torturonte të miturit./ZËRI