Bota

Hera e dytë në Beograd, Serbia mban zgjedhjet për pushtetin lokal

Qytetarët e Beogradit do të mund të zgjedhin mes 14 listave zgjedhore në qendrat e votimit

f.t
Hera e dytë në Beograd, Serbia mban zgjedhjet për pushtetin lokal
foto ilustruese

SERBI- Në Serbi sot mbahen zgjedhjet lokale në 89 qytete dhe komuna, duke përfshirë Beogradin, Novi Sadin, Nishin, Çaçakun, Valjevën dhe shumicën e komunave të Vojvodinës. Për herë të dytë në gjashtë muaj, qytetarët e Beogradit po votojnë ditën e sotme për pushtetin lokal, shkruan BBC. Përsëritja e zgjedhjeve vjen pasi në ato paraprake, të mbajtur në dhjetor, askush nuk e fitoi shumicën për ta formuar qeverinë.

Qytetarët e Beogradit do të mund të zgjedhin mes 14 listave zgjedhore në qendrat e votimit. Numri një është "Aleksandër Vuçiç - Beogradi nesër", i dyti është "Partia ruse - vëllezërit e serbëve dhe rusëve përgjithmonë", i treti "Cale, kjo është për ju", i katërti "Për Beogradin e gjelbër - Kur nëse jo tani - Dr. Dejan Zujoviç" , i pesti "1 nga 5 milionë - Fronti i Beogradit - Ritmi i qytetit - Dushan Teodosijeviç kryetar i bashkisë", i gjashti "Zgjedhim Beogradin - Dobrica Veselinoviç- Millosh Pavloviç", dhe i shtati "Ne jemi forca e popullit, Prof. Dr.Branimir Nestoroviç”.

Partia në pushtet e presidentit Vuçiç pritet të jetë fituese. Ajo kontrollon për më shumë se një dekadë të gjitha nivelet e pushtetit në Serbi, kështu që nëse opozita arrin të fitojë disa nga kuvendet komunale, për të mos përmendur qytetet e mëdha, do të ishte një ndryshim i rëndësishëm.

Zgjedhjet për pushtetin lokal po mbahen edhe në dy nga tri komunat e banuara me shqiptarë në jug të Serbisë. Në komunën e Preshevës në konkurrencë janë 6 parti politike shqiptare dhe një parti serbe, Në Bujanoc ndërkaq në konkurrencë janë 4 parti shqiptare, 4 serbe dhe një parti e pakicës kombëtare rome.

Çfarë ndodhi me zgjedhjet e 17 dhjetorit?

OSBE/ODIHR evidentuan shumë parregullsi në zgjedhjet lokale në Serbi, përfshi dhe faktin që erdhën votues nga Republika Serbe e Bosnje-Hercegovinës, të cilët nuk kishin adresë banimi në Beograd. Në zgjedhjet lokale të 17 dhjetorit 2023, SNS në pushtet fitoi 49 mandate, koalicioni opozitar i qendrës së majtë pro-evropiane "Serbia kundër dhunës" (SPN) 43 nga gjithsej 110 këshilltarë, ndërsa partnerët e koalicionit të progresistit socialistët (SPS) kanë pesë.

Që nga dita e zgjedhjeve, më 17 dhjetor, opozita ka akuzuar partinë në pushtet për vjedhje të vullnetit të qytetarëve duke sjellë votues nga Republika Srpska dhe qytete në Serbi. Vërejtje të shumta kanë pasur edhe vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilat janë theksuar në raportin e misionit vëzhgues të OSBE-së ODIHR. Më 18 dhjetor, Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) njoftoi se zgjedhjet u përcollën me parregullsi, keqpërdorim të fondeve publike, dominim mediatik nga presidenti i shtetit Aleksandër Vuçiç, fushata negative dhe përhapje frike.

Më 8 shkurt, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë që kërkon një hetim ndërkombëtar për parregullsitë e supozuara zgjedhore dhe propozon pezullimin e aksesit të Serbisë në fondet evropiane, nëse vërtetohet se autoritetet ishin të përfshira drejtpërdrejt në mashtrimin zgjedhor./ZËRI

Poll

MOS HUMB