Bota

Harris mesazh të ri për ekonominë, Trump dhe republikanët e kritikojnë për inflacionin

Gjatë fjalimeve në Uiskonsin, Indiana apo Teksas, ajo shmangu përdorimin e fjalës “inflacion”, që ka qenë edhe sfida më e madhe për administratën e Presidentit Biden dhe që e detyroi atë të pranonte vazhdimisht në fjalimet e tij pasojat që po përjetojnë votuesit, ndërsa përballen me shpenzime më të mëdha për ushqimet, karburantin, blerjen e shtëpive dhe makinave.

Zeri
Harris mesazh të ri për ekonominë, Trump dhe republikanët e
Kamala Harris

UASHINGTON– Plani i ri i Nënpresidentes Kamala Harris për ekonominë po paraqitet si një mundësi e mirë, por edhe një rrezik për kandidaten e mundshme për presidente të Partisë Demokrate. Pak pasi Presidenti Joe Biden u tërhoq nga kandidimi një javë më parë, Nënpresidentja Harris filloi të ndërtojë një plan të sajin për ekonominë, duke e vendosur theksin tek dhënia fund e varfërisë për fëmijët, tek fuqizimi i sindikatave, pakësimi i kostove për kujdesin shëndetësor dhe kujdesin për fëmijët, si dhe në mbrojtje të daljes në pension me dinjitet.

Gjatë fjalimeve në Uiskonsin, Indiana apo Teksas, ajo shmangu përdorimin e fjalës “inflacion”, që ka qenë edhe sfida më e madhe për administratën e Presidentit Biden dhe që e detyroi atë të pranonte vazhdimisht në fjalimet e tij pasojat që po përjetojnë votuesit, ndërsa përballen me shpenzime më të mëdha për ushqimet, karburantin, blerjen e shtëpive dhe makinave. Nënpresidentja Harris po i jep përparësinë më të madhe asaj që ajo thotë se pritet në të ardhmen.

“Në vizionin tonë për të ardhmen, parafytyrojmë një vend ku çdo person ka jo vetëm mundësinë që t’ia dalë mbanë, por që t’ia dalë me sukses – një të ardhme ku asnjë fëmije nuk i duhet të jetojë në varfëri, ku çdo i moshuar mund të dalë në pension me dinjitet dhe ku çdo punëtor është i lirë të bëhet pjesë e një sindikate”, tha Nënpresidentja Harris të enjten ndërsa fliste për Federatën e Mësuesve Amerikanë.

Por, republikanët vepruan me shpejtësi duke u përpjekur të fajësojnë zonjën Harris për inflacionin, për të cilin deri vonë fajësonin Presidentin Biden. Ata po theksojnë ndikimin në rritje të çmimeve të larta nën drejtimin e administratës demokrate. Të dhënat e Departamentit të Punës tregojnë se çmimet e mallrave të konsumit janë rritur me 19.2 për qind që kur Presidenti Biden mori detyrën, ndërsa të ardhurat mesatare janë rritur me 16.9 për qind. Drejtuesit republikanë po thonë tashmë haptazi se Nënpresidentja Harris ka përgjegjësi për inflacionin, pa dhënë detaje të mëtejshme se si ia arriti kësaj, përtej vetëm faktit se është Nënpresidente e vendit.

Marrë nga VOA

Poll

MOS HUMB