
Hamasi ka publikuar një video, autenticiteti i së cilës nuk mund të verifikohet, ku shihen milicët e armatosur që mbajnë peng disa fëmijë izraelitë në krahë, ndërsa një i porsalindur është i vendosur në karrocë.
Organizata pretendon se i ka shkrepur imazhet në ditën e parë të sulmit.
Ka kaluar një javë nga sulmet e Hamasit ndaj Izraelit dhe është ende e paqartë nëse Izraeli ka plane për të nisur një sulm tokësor në Gaza.
Izraeli ka kryer sulme të rënda ajrore në Gaza dhe ka sinjalizuar se ky është vetëm fillimi. Në rripin e Gazës rrezikon që të shpërthejë një krizë humanitare, për shkak të ndërprerjes së furnizimit me energji, dhe situatës së rënduar në spitale.
Izraeli ka urdhëruar më shumë se një milion njerëz në Gaza të evakuohen drejt jugut përpara një operacioni të mundshëm tokësor izraelit, sipas Kombeve të Bashkuara. Shumë në enklavë lanë shtëpitë e tyre të premten, por njerëzit po ikin nga vendet për t'u strehuar pasi Gaza kthehet në një shkretëtirë nga bombardimet izraelite.