Bota

"Gwada negativ"/ Një grup i ri i rrallë gjaku identifikohet tek një grua nga Guadelupa

Gruas, e cila jeton në Paris, iu mor një mostër gjaku në vitin 2011 gjatë një kontrolli rutinë para operacionit.

k.m.
"Gwada negativ"/ Një grup i ri i rrallë gjaku identifikohet
Foto ilustruese

PARIS- Një zbulim i madh mjekësor ka ndodhur 15 vite pas zbulimit të tij fillestar. Shkencëtarët francezë konfirmuan se një grua nga Guadeloupa në Karaibe është e vetmja bartëse e njohur e një grupi të ri gjaku, jashtëzakonisht të rrallë, i cili është quajtur "Gwada negativ".

Kjo, sipas një deklarate nga Organizata Franceze e Dhurimit të Gjakut (EFS). Gruas, e cila jeton në Paris, iu mor një mostër gjaku në vitin 2011 gjatë një kontrolli rutinë para operacionit.

“EFS sapo ka zbuluar sistemin e 48-të të grupeve të gjakut në botë!”- shkruhet në LinkedIn.

Si u bë zbulimi?

Sipas biologut mjekësor Thierry Peyrard të EFS-së, një antitrup "shumë i pazakontë" u identifikua për herë të parë tek pacienti në vitin 2011. Megjithatë, në atë kohë nuk kishte burimet e nevojshme për kërkime të mëtejshme. Shkencëtarët arritën të identifikonin një mutacion të rrallë gjenetik në vitin 2019.

Gruaja trashëgoi grupin e rrallë të gjakut nga të dy prindërit e saj, të cilët ishin të dy bartës të mutacionit specifik. Emri "Gwada negativ" i atribuohet origjinës së pacientit (nga Guadeloupa - "Gwada" në zhargonin vendas). Emri u përqafua me entuziazëm nga komuniteti shkencor.

Tani, shkencëtarët shpresojnë të gjejnë njerëz të tjerë me të njëjtin grup gjaku./ZËRI

Poll

MOS HUMB