
PRISHTINË- Gjykata Speciale ka vendosur në pranga sot komandant ‘Topi’, Haxhi Shala. Aktualisht ai mban detyrën si deputet i Kuvendit të Kosovës, nën siglën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Aksioni për arrestimin e tij është urdhëruar nga prokurori i Dhomave të Specializuara dhe lidhet me dyshimet për vepra penale, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Gazeta Express ka kontaktuar me ushtruesin e detyrës së kryetarit të OVL- UÇK, Faton Klinaku, i cili tha se ende nuk ka ndonjë informacion lidhur me arrestimin më të fundit. Po ashtu, asnjë koment nuk ka bërë për mediat vendase as zyra e Prokurorisë Speciale, por konfirmuan vetëm aksionin që kishte nisur mëngjesin e sotëm.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke zhvilluar operacione të vazhdueshme në Kosovë dhe nuk ka komente të tjera,”- thuhet në përgjigje.
Duke qenë se nga asnjë institucion nuk është marrë një përgjigje, ka folur djali i Haxhi Shalës, Flakroni i cili pranoi për se babai i tij ishte marrë për t'u intervistuar, por nuk i kishin dhënë asnjë detaj më shumë.
“Vetëm e kanë ftuar për intervistim njëherë përnjëherë, qështu i kemi informatat. Është në zyret e EULEX-it. Jo nuk dijmë asgjë për momentin,”- deklaroi shkurt Flakron Shala.
Gjatë këtij viti, Specialja ka kryer bastisje në Kosovë, disa prej tyre në pronat e ish-këshilltarëve të Thaçit. Vetëm disa javë më parë u arrestua Isni Kilaj për pengim të drejtësisë, ndërsa edhe vetë Shala ishte marrë njëherë në pyetje nga Prokuroria e Hagës në gusht të vitit 2020. Aktualisht në Gjykatën Speciale janë në pritje të gjykimit ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mes tyre përmendim ish-presidentin Hashim Thaçi; ish-kryeparlamentarin Kadri Veselin, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, ndodhen në paraburgim në Hagë që nga muaji nëntor i vitit 2020. Prokuroria e Posaçme, i ngarkon ata për veprat përndjekje dhe burgosje, ndalim arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë të personave. Sipas prokurorisë, krimet e pretenduara prej saj, janë kryer midis afërsisht prillit të vitit 1998 dhe gushtit të vitit 1999 në një numër vendndodhjesh në Kosovë dhe Shqipëri./ZËRI