
BRITANI E MADHE-Gjykata Supreme e Mbretërisë së Bashkuar vendosi që definicioni ligjor i fjalës “grua” i përjashton transgjinoret, në një rast me pasoja të gjera për atë se si zbatohen ligjet për barazinë. Gjykata më e lartë britanike vendoi njëzëri se definicioni i një gruaje në legjislacionin rreth barazisë u referohet “një gruaje biologjike dhe seksit biologjik”.
Vendimi me pesë gjyqtarë do të thotë në mënyrë efektive se gratë transgjinore edhe ato me një Certifikatë zyrtare të Njohjes Gjinore (GRC) — nuk mund të konsiderohen më ligjërisht gra për qëllimet e këtij ligji. Prandaj, ato nuk do të mund të marrin pjesë në organe apo komisione publike ku pozitat kërkohet të plotësohen ekskluzivisht nga gratë.
Vendimi mund të prekë politikat e aplikuara për sportin, forcat e armatosura, shërbimet shëndetësore dhe bamirësitë e grave, si dhe rregullimin e dhomave të zhveshjes, konvikteve dhe akomodimit të përbashkët.
Një grup i aktivistëve në Skoci e kishte paraqitur rastin më 2018, duke argumentuar se ato të drejta duhet t’i gëzojnë vetëm personat që janë lindur si gra. Megjithatë, qeveria skoceze thotë se një transgjinore që ka certifikatë GRC është ligjërisht grua, prandaj duhet t’i ofrohen mbrojtjet e njëjta ligjore.