
HAGË-Izraeli duhet t'i raportojë gjykatës brenda një muaji se çfarë po bën për të mbështetur urdhrin për të marrë të gjitha masat brenda fuqisë së tij për të parandaluar aktet e gjenocidit në Gaza. Gjykata deklaroi se Izraeli duhet të ndërmarrë hapa për të parandaluar aktet e gjenocidit në Gaza, por nuk urdhëroi një armëpushim.
Gjykatësi Donoghue thotë se vendimi krijon detyrime ligjore ndërkombëtare për Izraelin. Gjithashtu gjykatësi u shpreh se Izraeli duhet të marrë masa të menjëhershme dhe efektive për të mundësuar ofrimin e shërbimeve bazë të nevojshme urgjentisht dhe ndihmës humanitare në Rripin e Gazës.
Gjykata i bën thirrje Izraelit të ruajë provat
Gjykata i kërkoi Izraelit të parandalojë shkatërrimin dhe të sigurojë ruajtjen e provave. Ky urdhër përfshin gjithashtu mosmohimin e aksesit në këto prova nga misionet faktmbledhëse, mandatet ndërkombëtare dhe organet e tjera në Gaza. Gjykata votoi 15 pro dhe 2 për këtë urdhër.
Kujtojmë se një vendim kundër Izraelit nuk është i zbatueshëm nga gjykata - dhe Izraeli pothuajse me siguri do ta injoronte atë - por ai do të ishte politikisht i rëndësishëm
Vendimi mbi akuzat e Afrikës së Jugut për gjenocid do të kërkonte vite.Izraeli e mohon me forcë akuzën, duke e quajtur atë "të pabazë". Ndërkohë, mediat amerikane raportojnë se kreu i CIA-s do të takohet në ditët në vijim me zyrtarë izraelitë, të Katarit dhe egjiptianë për të diskutuar një armëpushim të ri të mundshëm në Gaza.
Sulmet hakmarrëse të Izraelit në Gaza kanë vrarë 25,900 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, tha Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi. Lufta filloi pasi Hamasi sulmoi Izraelin jugor më 7 tetor, duke vrarë rreth 1300 njerëz, kryesisht civilë dhe duke marrë peng 240 persona.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë 'thellësisht e shqetësuar' nga humbjet e vazhdueshme të jetëve
Kryetarja e trupit gjykues Joan Donoghue filloi duke lexuar një përmbledhje të kërkesës së Afrikës së Jugut, të paraqitur sipas konventës së gjenocidit. Donoghue flet më pas për kontekstin që ka çuar në padinë nga Afrika e Jugut në gjykatë.
Ajo flet për sulmin e 7 tetorit, në të cilin Hamasi vrau rreth 1300 njerëz, plagosi mijëra dhe mori peng rreth 240 njerëz - shumë prej të cilëve janë ende rob. Izraeli më pas filloi operacionin e tij ushtarak, vazhdon ajo, duke shkaktuar viktima masive civile, dëme të mëdha në Gaza dhe duke zhvendosur shumicën dërrmuese të popullsisë.
Ajo vëren se gjykata është "thellësisht e shqetësuar" nga humbja e vazhdueshme e jetës dhe vuajtja njerëzore. Ajo thotë se fushëveprimi i çështjes në fjalë është i kufizuar dhe se Afrika e Jugut dhe Izraeli janë të dyja palë në konventën e gjenocidit.
Nëntë masat urgjente të kërkuara nga Afrika e Jugut ndaj Izraelit
Afrika e Jugut i ka kërkuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që të shqyrtojë nëntë masa urgjente që ajo po propozon.
1.Izraeli duhet të pezullojë menjëherë operacionet e tij ushtarake kundër Gazës.
2. Izraeli duhet të sigurojë që çdo njësi ushtarake që mund të drejtohet, mbështetet ose ndikohet prej tij, si dhe çdo organizatë dhe popull që ai kontrollon ose influencon, të mos ndërmarrë asnjë hap për të vazhduar operacionet ushtarake në Gaza.
3. Afrika e Jugut dhe Izraeli do të parandalojnë gjenocidin kundër palestinezëve.
4. Izraeli duhet të heqë dorë nga vrasja, lëndimi, shkatërrimi i jetës dhe parandalimi i lindjeve në lidhje me palestinezët
5. Izraeli duhet të parandalojë zhvendosjen, privimin - duke përfshirë ushqimin, ujin, strehimin, ndihmat dhe furnizimet mjekësore - dhe shkatërrimin e jetës së popullit palestinez
6. Izraeli nuk duhet të nxisë gjenocid dhe duhet të ndëshkojë aktet dhe inkurajimin për gjenocid
7. Izraeli duhet të parandalojë shkatërrimin dhe të sigurojë ruajtjen e provave dhe të mos mohojë hyrjen e misioneve faktmbledhëse, mandateve ndërkombëtare dhe organeve të tjera në Gaza.
8. Izraeli duhet të paraqesë raporte në Gjykatën Ndërkombëtare për të zbatuar vendimin e Afrikës së Jugut për masat e marra brenda një jave dhe rregullisht pas kësaj deri në dhënien e një vendimi përfundimtar nga gjykata
9. Dhe Izraeli duhet të përmbahet "nga çdo veprim dhe do të sigurojë që asnjë veprim të mos merret që mund të përkeqësojë ose zgjerojë mosmarrëveshjen përpara Gjykatës ose ta bëjë më të vështirë zgjidhjen e saj".
Çështja në këtë gjykatë u nis me kërkesë të Afrikës së Jugut e cila akuzon Izraelin se ka kryer gjenocid në rripin e pushtuar të Gazës./ZËRI