
KOSOVË- Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka gjobitur Koalicionin për Familje me 5 mijë euro për shkak të thyerjes së Kodit të Mirësjelljes për subjektet politike.
Vendimi i PZAP-it vjen pas ankesës nga OJQ CEL Kosova dhe Dylberizmi kundër Koalicionit për Familje për shkak të gjuhës diskriminuese dhe urrejtjes.
PZAP bën me dije se gjuha e përdorur nga kandidati Jeton Haxhimustafa në Facebook më 22 janar, është në kundërshtim me Kodin e Mirësjelljes për Subjektet Politike, mbështetësit e tyre dhe kandidatët, ku janë të përcaktuara veprimet e ndaluara të subjekteve politike.
Kodi i Mirësjelljes detyron subjektet politike, kandidatët, anëtarët e subjekteve dhe mbështetësit e tyre ta respektojnë këtë kod me qëllim të krijimit të kushteve që gjatë periudhës së fushatës, veprimet e subjekteve politik të jenë në një atmosferë të tolerancës, demokracisë, paqes dhe respektit për sundimin e ligjit.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka marrw nw total 13 vendime dhe ka gjobitur partitë politikë me 26 mijë euro.
Lëvizja Vetëvendosje të enjten e 23 janarit është ankuar në PZAP për Partinë në Demokratike të Kosovës, pasi kandidatët e saj, Enver Hoxhaj dhe Qefsere Kuqi në rrugën “Brigada 123” në Suharekë, në shtyllat elektrike kishin vendosur posterë, dhe PZAP e ka cilësuar si të bazuar ankesën e VV-së, duke e gjobitur kështu PDK-në me 3 mijë euro.
Ankesën e njëjtë, dhe po në rrugën e njëjtë, VV e ka bërë edhe ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo e fundit nga PZAP-ja është gjobitur me 4 mijë euro, për shkak se disa kandidat për deputet kishin vendosur po në shtyllat elektrike banerë të tyre.
Me 3,500 euro është gjobitur subjekti politik Srspska Demokratija, pas ankesës së bërë nga VV-ja në PZAP, pasi postera të kandidatit Aleksandar Arsenijeviq ishin vendosur në Mitrovicë të Veriut.
Lëvizja Vetëvendosje është ankuar edhe për subjektin politik Partija Kosovskih Srba (PKS), e cila është gjobitur poashtu me 3 mijë e 500 euro, për shkak të vendosjes së posterave në hapësirat/rrugët publike në veri të Mitrovicës.
Një gjobë tjetër prej 3 mijë euro, me ankesë nga VV-ja, e ka marrë PDK-ja, pasi kandidati i saj Faruk Bojaxhi përmes një fotoje të publikuar në Facebook, të realizuar në hapësirat e brendshme dhe të jashtme të Bashkësisë Islame dhe Ipeshkvisë së Prizrenit.
Edhe Vetëvendosje është gjobitur me 4 mijë euro, pas ankesës së Partisë Demokratike të Kosovës në PZAP, pasi kandidati Valon Ramadani përmes një video të publikuar në TikTok kishte përdorur gjuhë nxitëse dhe urrejtëse kundrejt partive tjera politike.