
UASHINGTON- SEUL- Zëvendës Sekretari i Shtetit të Amerikës, Kurt Campbell, tha se SHBA-të janëe të shqetësuar për zhvillimet e fundit në Korenë e Jugut me shqetësim të madh, pasi presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol shpalli gjendjen ushtarake në vend. Campbell theksoi se SHBA po përpiqet të komunikojë me homologët e Koresë së Jugut. Më tej Campbell tha se qeveria amerikane do të japë më shumë informacione pasi ata mësojnë më shumë rreth kësaj situate.
“Presidenti, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Sekretari i Shtetit, të gjithë janë informuar mbi zhvillimet dhe po mdjekin situatën ndërsa po shpaloset. Dua të theksoj se alenca jonë me Korenë e Jugut është e hekurt dhe ne qëndrojmë pranë Seulit në vështirësi. Dua të theksoj gjithashtu se ne kemi çdo shpresë dhe pritshmëri që çdo mosmarrëveshje politike do të zgjidhet në mënyrë paqësore dhe në përputhje me sundimin e ligjit," tha Campbell.
Kjo është hera e parë që nga viti 1980 që shpallet ligji ushtarak në Korenë e Jugut. Por tashmë ka një problem të ri! Ligjvënësit në Korenë e Jugut kanë votuar për të bllokuar dekretin e ligjit ushtarak të shpallur nga presidenti Yoon Suk Yeol. 190 nga 300 ligjvënës votuan kundër, e tashmë në këto kushte, është e paqartë se çfarë efekti do të ketë votimi në shpalljen e gjendjes ushtarake. Sipas ligjit të Koresë së Jugut, presidenti është i detyruar të respektojë votimin.
Paralelisht, njerëzit po protestojnë jashtë ndërtesës së parlamentit.
Mes protestuesve dhe ushtrisë ka pasur edhe përplasje fizike, teksa punonjësit e shtetit kanë përdorur çdo mjet për të mos lejuar qytetarët që të futeshin në sallën e Kuvendit. Situata e krijuar po monitorohet edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
"Ne kemi çdo shpresë dhe pritshmëri që çdo mosmarrëveshje politike në Korenë e Jugut do të zgjidhet në mënyrë paqësore dhe në përputhje me sundimin e ligjit", tha zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Kurt Campbell.
Kjo edhe për faktin se rreth 28,500 trupa amerikane janë vendosur në Korenë e Jugut për t'u mbrojtur kufirin që vendi ndan me Korenë e Veriut, e cila sundohet nga Kim Jong Un. Edhe pse mediat e huaja kanë tentuar disa herë që të kontaktojnë, nuk kanë pasur asnjë përgjigje nga komanda ushtarake amerikane lidhur me gjendjen e vendit. /ZËRI