
SHBA- Një çift nga Illinois dhe dy fëmijët e tyre të vegjël, së bashku me tre qentë e familjes, u gjetën të gjithë të qëlluar për vdekje brenda shtëpisë së tyre në periferi të Çikagos. Paraprakisht autoritetet dyshojnë se kemi të bëjmë me një vrasje të katërfishtë.
Trupat e babait Alberto Rolon, nënës Zoraida Bartolomei dhe dy fëmijëve të tyre u gjetën rreth orës 20:40 të mbrëmjes së 17 Shtatorit nga policia e Romeoville pasi oficerët u ndalën pranë shtëpisë së tyre për një kontroll të mirëqenies. Emrat dhe mosha e fëmijëve nuk u publikuan të hënën.
Tre qen gjithashtu u gjetën të qëlluar me armë zjarri brenda shtëpisë.
Zëvendës shefi i policisë së Romeoville, Chris Burne tha gjatë një konference për shtyp të hënën se policia nuk beson se vdekjet ishin rezultat i një vrasje-vetëvrasjeje.
"Tani për tani ne po e hetojmë këtë si një vrasje," tha ai gjatë konferencës për shtyp të transmetuar nga NBC Chicago.
“Për shkak të kornizës kohore që ka kaluar – më shumë se 18 orë nga koha kur u kontaktuam – ne nuk po e kërkojmë të dyshuarin në afërsi të vendit të ngjarjes”, tha ai. Është e paqartë nëse prindërit ishin të martuar ligjërisht, tha Burne.
Dy fëmijët ishin të dy nxënës në Shkollën Fillore RC Hill, tha në një shënim për komunitetin, mbikëqyrësja e distriktit të shkollës në Valley Vieë, Rachel Kinder .
Anëtarët e shqetësuar të familjes thirrën policinë pasi një nga viktimat nuk u paraqit në punë në orën 6 të mëngjesit dhe nuk iu përgjigjën mesazheve, tha policia.
Forcat e rendit besojnë se familja katër anëtarëshe u vra mes orës 21:00 të së shtunës dhe 5 të mëngjesit të së dielës.
"Jam i shkatërruar," tha fqinji Lynn Phillips, i cili jeton një shtëpi larg, për Chicago Sun Times. "Kam qarë gjithë ditën."
Fqinjët thanë për mediat se familja ishin njerëz të mirë që nuk dilnin shpesh në lagje. Ata shtuan gjithashtu se fëmijët e vrarë nuk i kishin parë shpesh që të shëtisnin në zonë./Zëri