
MAQEDONIA E VERIUT-Andrej Lazarov, një futbollist profesionist 25-vjeçar, ishte një ndër viktimat e tragjedisë në Koçan, ku humbën jetën 59 persona dhe u plagosën 155 të tjerë. Futbollisti humbi jetën si hero mëngjesin e 16 marsit, ndërsa përpiqej të shpëtonte të tjerët nga zjarri vdekjeprurës.
Lazarov, një mesfushor qendror, i ishte bashkuar klubit të nivelit të dytë maqedonas FC Shkupi në shtator. I përshkruar nga shokët e tij të skuadrës si i përkushtuar, i përulur dhe plot zemër, ai ishte bërë shpejt një prani e vlefshme në dhomën e zhveshjes. Tifozët dhe miqtë e tij shprehen se 25-vjeçari ishte i apasionuar pas futbollist dhe ishte gjithmonë gati kur ekipi apo komuniteti kishte nevojë për të.
“Si një shpirt heroik, Lazarov humbi jetën duke u përpjekur të ndihmonte të tjerët të shpëtonin nga mjedisi i djegur. Ai u helmua nga tymi gjatë përpjekjeve të tij për të shpëtuar jetë, duke treguar guxim dhe humanizëm deri në fund”, shkruan klubi.
Në orën 3 të mëngjesit të 16 marsit një klub nate në Maqedoninë e Veriut u përfshi nga flakët. Si pasojë e zjarrit kanë humbur jetën 59 persona dhe 155 të tjerë janë plagosur. Në ambientet e lokalit ishin mbi 1500 persona, të cilët po ndiqnin një koncert muzikor. Dyshohet se zjarri është shkaktuar si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike./ZËRI