
SPANJË- Të paktën 64 persona kanë vdekur nga përmbytjet që përfshinë rajonin e Valencias dhe Albacetes, në Spanjën juglindore. Meteorologët raportojnë se rajoni i Valencias shpesh "përjeton" fenomenin e motit "gotta fria" (rënie të ftohtë) në vjeshtë, i cili shkakton përmbytje të papritura dhe jashtëzakonisht të rënda, ndonjëherë që zgjasin për disa ditë.

Shirat e rrëmbyeshëm të sjellë nga fronti i ftohtë, duke lëvizur përgjatë pjesës jugore dhe lindore të Gadishullit Iberik, shkaktuan përmbytje të shpejta dhe vdekjeprurëse, ndërsa shërbimi meteorologjik spanjoll AEMET paralajmëroi se reshjet do të vazhdojnë të paktën deri nesër të enjten. Sipas vlerësimit të AEMET dje, Valencia u godit më së shumti nga stuhia, me 180 mm shi që ranë në më pak se 12 orë. Në Alora, sasia e shiut sipas AEMET ka arritur sot në 160 milimetra.
Për shkak të fenomenit të motit, disa zona si Turis dhe Utiel kanë regjistruar 200 milimetra shi.
MOMENTI ME VIDEO:
Si pasojë, gjithçka është shkatërruar. Një pronar bari në Barrio de la Torre të Valencias thotë se e gjithë "lagjja është shkatërruar".
"Ishte dita më e keqe e jetës sime. Ishim në kurth si minj. Makinat dhe kontejnerët e plehrave rrotulloheshin nëpër rrugë. Uji u ngrit deri në tre metra,”- tha kryetari i bashkisë së qytetit Utiel, Ricardo Gabaldon.
Çfarë i shkaktoi përmbytjet në Spanjë?
Reshjet e dendura i atribuohen "gotta fria", ose fenomeni i "rënies së ftohtë", i cili ndodh kur ajri i ftohtë lëviz mbi ujërat e ngrohta të Mesdheut. Kjo krijon paqëndrueshmëri atmosferike, duke bërë që ajri i ngrohtë të ngrihet me shpejtësi, duke çuar në formimin e reve dhe nisjen e shirave të dendur në pjesët lindore të Spanjës. Shërbimi kombëtar meteorologjik Aemet shpalli alarmin e kuq në Valencia dhe e ngriti alarmin në nivelin e dytë në disa pjesë të Andaluzisë. Situata e vështirë do vazhdojë deri nesër./ZËRI