
PARIS - Gjyqtarët francezë kanë lëshuar urdhër arrest për presidentin e Sirisë Bashar al-Assad, vëllain e tij Maher al-Assad dhe dy zyrtarë të tjerë të lartë lidhur me përdorimin e armëve kimike të ndaluara kundër civilëve në Siri, tha një burim gjyqësor.
Urdhër-arrestet - të cilat i referohen akuzave për bashkëpunim në krime kundër njerëzimit dhe bashkëpunim në krime lufte - pasojnë një hetim penal për sulmet kimike në qytetin e Douma dhe rrethin e Ghouta Lindore në gusht 2013, sulme që vranë më shumë se 1,000 njerëz.
"Është urdhërarresti i parë ndërkombëtar që është lëshuar për kreun e shtetit sirian, forcat e të cilit iu përgjigjën protestave që filluan në vitin 2011 me një goditje brutale, që ekspertët e OKB-së kanë thënë se përbëjnë krime lufte.
Këto janë gjithashtu urdhër-arrestet e para ndërkombëtare që janë lëshuar për sulmin me armë kimike në Ghouta", tha Mazen Daruish, avokat dhe themelues i Qendrës Siriane për Media dhe Lirinë e Shprehjes (SCM), që ngriti rastin në Francë.
Siria mohon përdorimin e armëve kimike, por një hetim i mëparshëm i përbashkët i Kombeve të Bashkuara dhe Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike zbuloi se qeveria siriane përdori agjentin nervor sarin në një sulm të prillit 2017 dhe ka përdorur në mënyrë të përsëritur klorin si armë.
Presidenca siriane dhe Ministria e Informacionit nuk u përgjigjën menjëherë për koment.
"Presidenti është përgjegjës për shumë krime në Siri - por me këtë lloj arme në veçanti - gazin sarin - është e pamundur të kapërcehet hendeku (i përfshirjes së tij)", tha Daruuish për Reuters.
Bashar Al Assad ishte në qendër të mediave botërore përpara 10 vitesh, kur Siria u përfshi nga lufta civile./Zëri.ai/