
TURQI- Mesazhin se ata që organizuan arrestimin e Ekrem Imamoglu “do të japin llogari para popullit” e përcolli bashkëshortja e tij, Dilek. Në një prononcim të shkurtër për mediat pas arrestimit të të shoqit, ajo tha se akuzat e ngritura ndaj tij ishin qesharake.
“Policia erdhi në agim. Unë kam një vajzë 13-vjeçare dhe pavarësisht asaj që ndodhi, ajo më tha se do të shkojë në shkollë dhe do të vazhdojë jetën. Dje ia kanë hequr diplomën në mënyrë të paligjshme. A e prisnim një zhvillim të tillë? Ne jemi ende një shtet ligjor, edhe nëse kjo është në letër. Një gjë e tillë është ajo që ka ndodhur mëngjesin e sotëm. Së pari ju arrestojnë dhe më pas përpiqen të gjejnë prova. Akuzat e një organizate kriminale janë qesharake. Ekremi ka besim te njerëzit dhe se populli do t’i kërkojë llogari një ditë. Askush nuk mund të heshtë përballë një padrejtësie të tillë,”-tha ndër të tjera në fjalën e saj Dilek Imamoglu.
Ekrem Imamoglu u arrestua sot në mëngjes pasi akuzohet se është lideri i një organizate kriminale; akuzohet për manipulim tenderash dhe ndihmë për organizatë terroriste. Agjencia shtetërore 'Anadolu' informon se prokurorët lëshuan urdhër-arrest për kryebashkiakun Ekrem Imamoglu dhe rreth 100 persona të tjerë. Midis të arrestuarve ishte bashkëpunëtori i ngushtë i Imamoglu, Murat Ongun. Një grup i madh i personelit të sigurisë rrethoi shtëpinë e Imamoglu përpara se ta merrte në paraburgim. Sipas Prokurorisë, ndaj İmamoglu dhe personave të tjerë për të cilët është lëshuar urdhër arrest rëndojnë akuza si të tilla si “organizatë kriminale, zhvatje, ryshfet, mashtrim, manipulim tenderash dhe ndihma e organizatës terroriste PKK/KCK./ZËRI