Bota

Finlanda i bashkohet Suedisë, çel hetimet për kabllot e prera në Baltik

Kablloja C-Lion1, e cila lidh Finlandën me Gjermaninë, u dëmtua të hënën, një ditë pas dëmtimit të ngjashëm të një kablloje që përshkon Balltikun duke lidhur Lituaninë dhe Suedinë. Incidentet ndodhën në ishujt suedezë Oland dhe Gotland.

Redaksia Zëri
Finlanda i bashkohet Suedisë, çel hetimet për kabllot e prera
Foto ilustruese

HELSINKI– Autoritetet finlandeze thanë të mërkurën se kanë hapur një hetim për prerjen e një kablloje të transmetimit të të dhënave nën Detin Baltik, duke iu bashkuar kështu një hetimi suedez për sabotimin e mundshëm të këtij rrjeti dhe të një kablloje të dytë.

Kablloja C-Lion1, e cila lidh Finlandën me Gjermaninë, u dëmtua të hënën, një ditë pas dëmtimit të ngjashëm të një kablloje që përshkon Balltikun duke lidhur Lituaninë dhe Suedinë. Incidentet ndodhën në ishujt suedezë Oland dhe Gotland. Ministri gjerman i mbrojtjes tha të martën se dëmi duket se ishte shkaktuar nga sabotazhi, megjithëse nuk ka prova për momentin.

Byroja Kombëtare e Hetimit të Finlandës tha se hapi një hetim penal për prerjen e kabllit C-Lion1 me dyshimin për veprën e “aktivitetit të rënduar kriminal dhe ndërhyrje në komunikim". Policia suedeze tashmë ka hapur një hetim paraprak të martën për sabotim të dyshuar në lidhje me dy prerjet e kabllove dhe tha të mërkurën se "policia dhe prokurorët suedezë janë gjithashtu të interesuar për një anije që është parë në vendet në fjalë".

Ata nuk dhanë detaje dhe nuk e identifikuan anijen, por thanë se "ajo nuk është aktualisht në ujërat suedeze". Hetimet zyrtare erdhën pasi u njoftua nga mediat se një anije me flamur kinez, “Yi Peng 3”, kishte qenë në zonë në kohën e prerjes së kabllove.

Informacioni për gjurmimin e anijes nga faqja e internetit Marine Traffic tregoi se anija e transportit, 225 metra e gjatë, nuk lëvizte pasditen e së mërkurës në brigjet e Danimarkës në Balltik. Marina Mbretërore Daneze nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese me email për koment nga agjencia e lajmeve Associated Press./VOA

Poll

MOS HUMB